FOTO/ Bill Clinton nuk e përmban dot veten para kamerierit shqiptar

Bill Clinton është përlotur nga një kamerier shqiptar në New York që i ka thënë se ish-presidenti i ka shpëtuar jetën. Bill dhe Hillary Clinton po hanin darkë në Seafire Grill të premten kur një kamerier i ra në gjunj duke i thënë që po të mos ishte për të, ai nuk do të ishte gjallë sot.

Kamerieri nga Kosova u tregoi historinë e tij nga koha e luftës me Serbinë. Pas darkës, çifti Clinton u takua me pjesën tjetër të stafit të Seafire Grill, shumica e të cilëve janë shqiptarë dhe me njërin prej tyre bënë edhe foto.

Kamerieri kishte ikur nga Kosova në moshën 16 vjeç, pasi i ati dhe pjesëtarët e familjes ishin torturuar nga serbët gjatë luftës, raporton TMZ. Tani, 32 vjeç, kamerieri, që jeton në Amerikë që në vitin 1999, punon në një nga restorantet tipike të New York-ut.

Siç dihet, Bill Clinton ishte presidenti që mbështeti bombardimet e NATO-s në vitin 1999 për të detyruar trupat serbe të largoheshin nga territori kosovar, duke hapur rrugën për pavarësinë e Kosovës.

Në Prishtinë ngrihet një statujë mbi 3 m, bronzi, e ish-presidentit, në bulevardin Bill Clinton, ngritur për t’i shprehur mirënjohjen.

Mediat që kanë raportuar ngjarjen me kamerierin shqiptar shkruajnë që kur ai mbaroi së treguari, Bill i kapi dorën dhe filloi të qante. Kamerieri i tha që i trembej rregullave të reja të antiimigracionit dhe nuk donte që të publikohej fotoja e tij.

Temat
Përgjithshme

Të afërta