Apel publik për mosnxitim, në copëtimin e Kosovës!

Presidentit, Kryeministrit, Kryeparlamentarit, OSBE-s, Gjeneralit të NATO-s, medieve, Ojq-ëve dhe atyre që e dëshirojnë sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan
Të nderuar të lartcekur,
Duke pasur parasysh proceset dhe zhvillimet aktuale, nëpër të cilat po kalon Kosova me idenë kishotiane të Presidentit, u bëjë Apel profesional e intelektual gjithë Juve për shkallën e rrezikshmërisë së; “korigjimit” apo shkëmbimit (human) të territorreve midis Serbisë dhe Kosovës.

Më lejoni Ju lutem, t’u jap një përgjigje në formë tezash, ca pyetjeve se përse Kosova, s’duhet të nxitoj dhe pse duhet ta ruajë edhe për një kohē “status quo-n”? A duhet, si duhet dhe kur duhet, të “korigjohen” kufijtë në Ballkan? Cilat janë argumentet për ruajtjen e “status quo-s”? A më i rëndësishëm është forcimi i sovranitetit apo “korigjimi”? Çfarë po duam? Çfarë mundemi? Si ta bëjmë?)

Problematika:
Që në fillim ta themi që ideja e aventurës dhe njëmendësisë së “korigjimit” (anipse, ka krijuar pa nevojë mjegull) dhe ajo pluralizmit të mendimeve për nevojën e korigjimit të padrejtësive historike ndaj shqiptarëve etnik në Ballkan, nuk e kanë kohën. Midis tjerash, edhe shkaku se gjasat e realizimit të këtij synimi në konstelacionin e tanishëm; gjeopolitik dhe strategjik, janë thjesht “mission impossible”. Andaj çfarë duhet bërë? Ose pse Kosova duhet të abstenoj nga ideja e mjegullnajës së “korigjimit”, dhe si ta “mirëmbajë” raportin me Serbinë, si “konflikt të ngrirë”?
Do konstatuar që kuptimi më i kapshëm sociologjik, për gjendjet apo situatat e ”konflikteve të ngrira”, nënkupton:

1. abstenimin e vetëdijshēm për tē gjetur kompromisin (i cili është i mundshëm vetëm tek popujt e emancipuar kulturalisht, ngase, kërkon aftēsi dhe shkathtësi të të menduarit dhe gjykuarit civilizues, qē aktualisht mungon si tek serbët ashtu edhe tek shqiptarët);
2. gjetjen e një zgjidhje adekuate; të pranueshme dhe koherente për dy palët e ingranuara në një konflikt; social, ekonomik, etnik, etj. Pra, abstenimi i cilës do palë për të pritur;
3. hulumtimin e atmosferës adekuate sociopolitike, si dhe një disponim më të favorshëm për dyja palët në konflikt shekullor për “frymarrje”teritorriale.

Arsyeja;
Diskursi, mbi temën e natyrës sē “status quo-s”, (jo ai i “korigjimit”) si opsion e vendor unanim sociopolitik, në fakt për synim ka më shumë adresimin dhe gjetjen e zgjidhjeve; – të brofshme; – të menjëhershme; – pra efektivisht radikale dhe tejet të rrezikëshme!
Duke i analizuar përmes dioptrisë shkencore të metodës së analizës së përmbajtjes, na del se;
Rasti i situatës kompetitive, midis Serbisë e Kosovës (përveç që dihet ai rast; sui generis) është rast që kërkon një analizë më komplekse, e jo turravrap (e me duar në xhepa, si vepron Thaçi dhe delegacioni i tij infantil), sepse, ekspertiza serbe ka të përgatitura dhe të elaboruara gjerë në detaje mikroskopike, të gjitha variantat dhe nën variantat e “produktit” të bisedimeve me Kosovën.
Për mendimin tim, opsioni më i mirë për të abstenuar (vetëdijshëm, por, me argumente shumë të forta (shkencore; politike; gjeopolitike,etj.) para; Aleatëve dhe shtetit serb) nga bisedimet e mëtejme ështē opsioni i konzervimit të “status quo-s”. Por, përse na konvenon sot më shumë ruajtja e “status quos”, se sa “korigjimi” apo shkëmbimi eufemizma këto për copëtim)?

Ja 11 argumente logjike politike, dhe përse Kosovës i duhet konzervimi i “status quo-së”?

1. Kosova nuk e ka presionin si Serbia e qendrave vendimarrëse për përmbushjen e kritereve strikte (lexo; disiplinimin taksativ e ultimativ!) dhe joshjen “atraktive” për t’u futur në “ndërtesën e ftohtë”, të shquar si BE. Bile, Kosovës ende nuk i është caktuar as edhe një datë e vetme shpresëdhënëse (si Serbisë 2023-ta, p.sh.). Bile, as për liberalizim të vizave! Por kjo BE është duke na mbajtur në burg kolektiv, si asnjë vend e shtet tjetër në kontinent.
2. “Status quo-ja” në Kosovë nuk është duke e kërcënuar me asnjë element; sigurinë dhe stabilitetin e Serbisë, e aq më pak të rajonit dhe kontinentit…Përkundrazi, të gjitha analizat e sigurisë dhe stabilitetit rajonal e kontinental, flasim për rritje të mobilizimit për ruajtje e mirëmbajtje të suksesshme të saj.
3. “Status quoja” do e mundësonte padyshim njē rishikim; social, politik, ekonomik, juridik, arsimor, ushtarak…etj., të vendit. Në mënyrë që të analizohën; dobësitë e sistemit, mënyra e reduktimit të administratës marramendëse (100.000 punëtorë ka administrata jonē, krahasuar me Slloveninë që ka vetëm 33.000!), ndryshimet në gjyqësore (një lloj Vetingu, si në Shqipëri);…
4. “Status quo-ja”, miqve tanë ndërkombëtarë do u ofronte një “time out” të ri për të kuptuar dhe dëshmuar jo vetëm pjekurinë “tonë qeverisëse”, por edhe për ta lehtësuar jo vetēm “agjendën e bisedimeve finale me Serbinē”, por edhe me Brukselin në tërësi…

5. “Status quo-ja” do e shmangte domosdoshmërisht dhe sigurt etnomobilizimin e rrezikshëm, që është duke u stimualuar ideja e (trojkes; Thaçi&Rama&Vuçiq) “shkëmbimit të teritorreve” (alias, copëtimit të vetëdijshëm; ca fshatra të Preshevēs me katër komuna kosovare!?). Që është një rrezik real jo veç për Kosovēn e Serbinē, por për gjithë Ballkanin.
6. “Status quo-ja” çuditërisht është e shëndetshme edhe për Serbinë, ngase; do e mobilizonte shumë më shumë atë që t’i përmbushë obligimet taksative që ia ka imponuar BE-ja. Edhe BE-ja, do e ruante sigurinë dhe stabilitetin e vetë, në këto kohëra të rikonfigurimeve të reja në nivel global.
7. “Status quo-ja”, do krijonte kondita të reja që do ishin shumë më të artikuluara, më të qarta e më decidive, edhe për miqtë tanë (të cilët në këto dy dekada; veç na kanë mësuar “ta hajmë peshkun”, e jo edhe si “ta zëmë atë”. Pra na duhet ta riaktivizojmë diskursin për mobilitetin e sovranitetit (që nuk e kanë njohur akoma pesë shtete evropiane), e jo atë të “korigjimit” (eufemizmi për copëtimin)…
8. “Status quo-ja”, përmes pjekurisë së institucioneve demokratike, do krijonte konditat (ekonomike e politike) e reja e shumë më të fuqishme për forcimin e gjysmë sovranitetit dhe definitivisht konditat për një siguri dhe stabilitet edhe për ambiciet e aleatëve amerikan…
9. “Status quo-ja” do e përgatiste Kosovën për anëtarësim në OKB. Sepse, marrja e ulëses në OKB-së, në këmbim të copëtimit, është naive dhe shumë destruktive! Arsye; nuk jep asnjë garancion ndërkombëtar për njohjen e mëpastajme të Kosovës si shtet nga ana e Serbisë. Kemi rastin më eklakant të Palestinës…
10. “Status quo-ja”, gjithashtu do e krijonte edhe; etnopsikologjinë koherente me zhvillimet dhe proceset që janë në horizont…Pra, starti i bisedimeve për tema të interesit nacional e shtetëror, pa barazi statutesh politike në tavolinën e bisedimeve, do na mveshte dosido hendikapin e rrezikut të vazhdimit të mosnjohjes nga ana e Serbisë. Që është ajo hallka kyqe e mashtrimit dhe naivitetit tanë, në rast se pranojmë të “korigjohemi” parcialisht.
11. “Status quo-ja”, duhet të na jap përgjigje në tri çështje fundamentale; çfarë DUAM me veprimet e nxitura, rreth “korigjimit, shkëmbimit, ndarjes apo copëtimit” teritorial; çfarë MUNDEMI dhe si mundemi t’i realizojmë interesat tona gjithëkombëtare e shtetërore, në rrethanat (për mendimin tim) të pavolitshme kombëtare e ndërkombëtare; dhe në çfarë mēnyre DUHET t’i realizojmë synimet tona (afatshkurtëra, afatmesme, e afatgjata) strategjike, në kornizën e gjeostrategjisë së re postmoderniste.

Si ta ndërtoj Kosova një Platformë unike dhe me konsenzus të duhur demokratik?
Për ta arrijtur këtë konsenzus (që do dal jo nga qeveria aktuale, por, nga zgjedhjet e reja), duhet;

1. Të fillohet menjëherë në Parlament, me procedurën e shkarkimit të Presidenti Thaqi (arsyeja kryesore; tejkalimi i komptencave kushtetuese); ose me procedurë demokratike në Parlament, ose me kundërshtim të Ramush Haradinajt, ose me mocion opozitar, ose me protesta alla rumune…!
3. Të ridebatohet ideja e reformës zgjedhore. Shkaku, se Ligji Zgjedhor dhe Kushtetuta aktuale janë bërë “këmishë” tejet e ngushtë, si për; nevojat, ashtu edhe kërkesat e reja qytetare;
3. Të nisin procedurat për reforma të thella Kushtetuese, nê mënyrē që më pastaj të dalin oferta, projekte e opsione të reja politike, e socioekonomike për Kosovën. E pse jo edhe ide për dialogun e për kufizimin e ri me Serbinë; Shqipërinë (për ndonjë federatë apo konfederatë socioekonomike); Maqedoninë (për avokimin e mëtejmë të të drejtave të shqiptarëve, në mënyrë që ata atje të bëhen shtetformues, edhe de jure)
4. Si hap i fundit; duhet të shpërndahet Parlamenti aktual, i pakicës shqiptare që nuk e pati as legjitimetin e as legalitetin (moral qytetar) e duhur për vendimarrje të tilla historike! Ngase, vetëm një qeveri e shumicës shqiptare, mund të bie çfardo vendimi (a)historik.

Për fund;
Ka edhe diçka jopublike në gjithë këtë “xhurullti” dhe insistim tē (pa paramenduar mirë e thellē!) “korigjimit” vetëm të pjesëshëm, të kufirit midis Serbisë dhe Kosovës…Është ai i “pasurive magjike”(ashtu si e ka identifikuar ekspertiza e CIA-s, ku thuhet se”Kosova ka një sasi të madhe të kromit (20 për qind të përmbajtjes totale të kromit në botë), e nikel, zink, magnez, bakër, zhivë, argjend, ari, metalet bismuthi dhe të tjera të rralla. Vlerësohet se rezervat e Kosovës për thëngjillin, gazin natyror dhe metalet janë me vlerë pesëqind miliardë dollarë”.
Suma sumarum, po del që krejt kjo “tymnajë me mjegullë”, nuk është e rastësishme, ashtu si mendojmë! Vetëm se ca politikan (tē shantazhuar, e me siguri edhe tē korruptuar keq!) dhe ca gazetarucka mercenar (që kanë marr detyra të na shesin “dushkë për gogëla”), po bëhen hyzmetçarë të djallit! Le ta dijnë ata dhe gjithë tē tjerët, se maskarada rreth “korigjimit” të pjesërishëm do dështojë, dhe nuk do kaloj!
Pra, në këto rrethana (të pavolitshme, gjithësesi) dhe në këtë konstelacion aktual forcash ndërkombëtare postmoderniste, nuk ka nevojë të NXITOHEMI dhe të hyjmë në transaksione të disfavorshne dhe shumë të rrezikshme, si për Kosovën ashtu edhe për rajonini.
Kosova, duhet ta ket përgjigjen e vetë unike (jo parciale) institucionale, karshi Serbisë, Brukselit dhe Washingtonit.
E ajo duhet me qenë;
PO korigjime të padrejtësive historike,
JO “korigjime” kozmetike, dhe pa garancione amerikan!

Miqësisht, Fadil Maloku, Kryetar i Shoqatës së Sociologëve tē Kosovēs, dhe profesor Universitar

Temat
Opinione

Të afërta