Gjuajtje me gurë, molotov e të shtëna me armë, gjithçka që ndodhi sot në veri të Kosovës

Përpos situatës së tensionuar disa ditore në veri të vendit, një situatë aspak më e mirë nuk ishte as sot.

Mëngjesin e sotëm Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës u nisën drejt komunave veriore të vendit, për të realizuar një aksion anti-kontrabandë. Por jo gjithçka shkoi siç ishte planifikuar.

Serbët e shumtë të këtyre komunave nisën kundërshtimin e tyre në drejtim të zyrtarë policorë dhe atyre të Doganës së Kosovës.

Para situatave mjaftë të rënduara ishin policët, doganierët, gazetarët e përfaqësues të tjerë të institucioneve të vendit që shkuan për të realizuar këtë aksion.

Serbët nisën të ofendonin, të gjuanin me gurë e molotov, ku nuk munguan as të shtënat me armë, thyerje e djegie e veturave deri tek bllokimi i rrugëve.

Si pasojë e këtyre kundërshtimeve të serbëve të lënduar mbetën disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët më pas janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës.

Nga Policia e Kosovës është theksuar se të lënduar mbetën gjashtë zyrtarë policorë, prej tyre të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb.

Poashtu, një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë është lënduar përgjatë këtij aksioni.

Sulmet e serbëve nuk përfunduan me kaq, pasi të njëjtit vazhduan të sulmonin edhe gazetarët, fotografët e kamermanët kosovarë të cilët po raportonin për ngjarjet në veri.

Madje në drejtim të tyre u hodhën edhe bomba dore.

Operacioni në luftë kundër kontrabandës ishte zhvilluar në Prishtinë, Pejë, Mitrovicën e Jugut dhe atë të veriut ku edhe situata ishte tensionuar jashtë mase.
Lidhur me gjithë këtë nga Qeveria e Kosovës deklaruan se mbështesin aksionin dhe se kontrabanda me mallra duhet të luftohet.

Ndërsa kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen.
Sipas tij kontrabanda do të luftohet e do të parandalohet.

“Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, deklaroi Kurti.

Pas përfundimit të aksionit të sotëm dhe qetësimit të situatës në veri, Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim pesë persona të dyshimtë për kontrabandë me mallra.

Katër prej tyre me nacionalitet shqiptar dhe një nga ta me nacionalitet serb.

Poashtu nga Policia e Kosovës është thënë se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, është janë duke u kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra por edhe në aktet kriminale dhe sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri të kryera ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë sot gjatë operacionit.

Kurse në shenjë kundërshtimi ndaj këtij aksioni, serbët veçse kanë kthyer sërish barrikadat nëpër rrugët që qojnë drejt komunave me shumicë serbe.

Një bllokadë e tillë është bërë edhe në rrugën Prishtinë-Rashkë, saktësisht në Rudarë.

Temat
LajmeVend

Të afërta