Panucci e publikon listën e lojtarëve të ftuar për miqësore ndaj Turqisë

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci, e ka publikuar listën me 25 lojtarët e ftuar për ndeshjen miqësore kundër Turqisë.

Astrit Ajdareviç, Ylber Ramadani dhe Sabien Lilaj janë tre emrat e rinj të afruar në Kombëtare nga trajneri Christian Panuçi. Risitë afrohen në repartin e mesfushës, me lojtarët që do të vendosen në dispozicion të trajnerit për miqësoren e 13 Nëntorit me Turqinë.

Në Kombëtare, trajneri Panuçi ka rikthyer edhe Naser Alijin. Mbrojtësi është ende pa skuadër dhe vazhdon të stërvitet te Baseli, ndërsa në merkaton e Janarit shpresohet që të nisë një aventurë të re, për t’u konfirmuar si një alternativë në krahun e majtë të mbrojtjes.

Në këtë pozicion, kapiteni Ansi Agolli është lënë pushim prej angazhimeve të shumta, duke përfshirë edhe aktivizimin në Champions. Në krahasim nga grumbullimi i fundit, jashtë skuadrës kanë mbetur Hysen Memolla në mbrojtje dhe Emanuele Ndoj në mesfushë.

Në sulm mungojnë Bekim Balaj, që sapo është rikuperuar nga lëndimi dhe ende nuk është në formë optimale, por edhe Sokol Cikalleshi, që vijon të jetë i dëmtuar.

Për miqësoren e 13 Nëntorit me Turqinë nuk ka ftesa për Keidi Baren e Atletico Madrid dhe Enis Gavazajn të Skënderbeut, edhe pse u mendua që dy mesfushorët mund të kishin një shans për të treguar vlerat e tyre në skuadër.

Shqipëria do të nisë grumbullimin të hënën, më datë 6, me futbollistët që do të paraqiten direkt në Antalia, menjëherë pas angazhimeve me klubet e tyre.

Portierë: Etrit Berisha (Atalanta), Thomas Strakosha (Lazio), Alban Hoxha (Partizani)

Mbrojtës: Elseid Hysaj (Napoli), Ivan Balliu (Metz), Arlind Ajeti (Crotone), Mërgim Mavraj (Hamburg), Frederic Veseli (Empoli), Berat Gjimshiti (Benevento), Ermir Lenjani (Sion), Naser Aliji (pa ekip)

Mesfushorë: Migjen Basha (Bari), Amir Abrashi (Freiburg), Ylber Ramadani (Velje), Sabien Lilaj (Skënderbeu), Taulant Xhaka (Basel), Andi Lila (Pas Janina), Astrit Ajdareviç (AEK Athinë), Odise Roshi (Akhmat Grozny), Ledian Memushaj (Benevento).

Sulmues: Armando Sadiku (Legia Warsaw), Eros Grezda (Osijek), Valon Ahmedi (Maribor), Liridon Latifi (Puskás Akadémia), Azdren Llullaku (Tobol)

Temat
RajonSport

Të afërta