Petkoviq bën krahasime mes Vuçiqit dhe Millosheviqit

Politikani serb, Sllavisha Petkoviq, dikur ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se nuk e kupton si presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund t’i besojnë kosovarët apo ndërkombëtarët, kur atij nuk i besojnë serbët.

Ai ka deklaruar në Klan Kosova se kohë më parë i kanë paralajmëruar liderët kosovarë për të mos lejuar që Lista Serbe t’i vjedhë zgjedhjet, por se nuk janë marrë seriozisht.

“Fjalët e Aleksandar Vuçiq pas arrestimit të Gjuriq se do të flasë me Vladimir Putin tregojnë se ai nuk do ta zgjidhë kurrë çështjen e Kosovën, sepse nga ajo që di unë, Rusia nuk është pjesë e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës. Atij nuk mund t’i besohet asgjë. Para dy vjetësh është pyetur nëse do të kandidonte për kryetar të Serbisë, ai pati thënë kurrë. Pas gjashë apo shtatë muajsh ai kandidoi. Kur nuk i besojmë ne serbët, si mund t’i besoni ju, apo ndërkombëtarët. Besoj se këta të fundit e kanë vërejtur se ai është njeri që nuk mund t’i besohet. Populli në Serbi jeton shumë keq. Tema e vetme që e mban atë në pushtet është Kosova. Ky është parimi dhe receta e njëjtë që e ka mbajtur në pushtet Sllobodan Millosheviqin”.

“Kërkesa e Aleksandar Vuçiq për arrestimin dhe transferimin e Ramush Haradinajt ka qenë cinike, sepse pastaj Lista Serbe bëri koalicion me të. Por e di që Lista Serbe nuk do të kthehet në qeveri, ndaj tash mbetet që të shihet sa do të zgjasë marrëveshja mes pozitës dhe opozitës në Kosovë”.

“Ne kohë më parë i kemi paralajmëruar liderët shqiptarë që të mos lejohet që Lista Serbe t’i vjedhë zgjedhjet, por kjo gjë ka ndodhur dhe rezultatet janë këto. Kemi dalë edhe në televizionet shqiptare për të paralajmëruar këtë gjë, por askush nuk është marrë me ne. Na kanë thënë që bashkëbisedues i mirë është Aleksandar Vuçiq dhe problemet do të zgjidhen duke folur me të. Le t’i zgjidhin tash problemet në këtë formë”.

Temat
LajmeRajon

Të afërta