Kremtim dhe zhgënjim në përvjetorin e pavarësisë (VIDEO)

Në 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, të rinjtë shprehen të zhgënjyer nga mospërmbushja e pritjeve që ata kishin pasur.

Disa prej të rinjve nuk e shohin Kosovën si vend ku mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre, megjithatë, nuk humbin shpresat se gjërat do të përmirësohen.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, të rinjtë flasin për shumë probleme, me të cilat ballafaqohen në shtetin më të ri në Evropë.

Shpalljen e pavarësisë, thonë se e kishin parë si moment kur do të fillonin të ndodhnin ndryshimet në perspektivën e tyre.

Nëntë vjet pas pavarësisë së Kosovës, të rinjtë thonë se problem kryesor mbetet punësimi, sistemi i dobët arsimor, mungesa e liberalizimit të vizave dhe mungesa e aktivitete të mirëfillta edukative dhe kulturore.

Jora Zeneli thotë se përvjetori i nëntë i pavarësisë, Kosovën nuk e gjen ashtu si do të donin të ishte.

“Para nëntë viteve të gjithë kanë menduar se gjithçka do të ndryshonte në të mirë, por gjërat nuk ndodhën ashtu. Disa nga të rinjtë janë përshirë në shtet formimin, por mendoj se duhet ende angazhim, që shteti ynë të ecë përpara dhe të arrijmë më shumë”, thekson ajo.

Linda Zeqiri, studente e Fakultetit të Edukatës Fizike thotë se të rinjtë po ballafaqohen me problemin e madh të papunësisë, por shpresojnë që në të ardhmen ky problem të zgjidhet:

“Shpresojmë që do të bëhet mirë dhe të kemi vende të punës. Deri tani nuk janë realizuar pritjet e mia, por po shpresojmë se gjërat do të rregullohen”.

Nëntëvjetori i pavarësisë Kosovën e gjen me nivel të lartë të papunësisë dhe atë mbi 26 për qind. Kjo papunësi kryesisht ka prekur të rinjtë. Niveli i papunësisë së të rinjve, sipas të dhënave zyrtare, mbetet i lartë me rreth 60 për qind.

Ndërkohë, Arti, një i ri nga Prishtinë, thotë të ketë pritur shumë më shumë përmirësime në këto nëntë vjet të shtetit të Kosovës.

“Mendoj që gjëja që më së shumti i mungon Kosovës është liberalizmi i vizave. Ne të rinjtë kemi dëshirë të dalim jashtë vendit, të vizitojmë të afërmit tanë, të vizitojmë vende të tjera dhe të kemi njohuri për botën”, thekson ai.

Kosova llogaritet të jetë një ndër vendet më të izoluara në Evropë dhe për t’u mundësuar qytetarëve të saj lirinë e lëvizjes në vendet e BE-së, ajo duhet t’i përmbushë edhe dy kriteret e mbetura; ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe ta fuqizojë përmes rezultateve konkrete luftën kundër korrupsionit.

Disa prej të rinjve, thonë se aktualisht me zhvillimin në përgjithësi që ka pasur Kosova deri më tani, nuk e shohin si vend ku mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Megjithatë, ata nuk humbin shpresat segjërat do të përmirësohen.

Bleriona Gashi shprehet

“Të rinjtë në Kosovë nuk e di sa e shohin veten këtu që të krijojnë karrierë, më shumë e shohin veten jashtë shtetit, Ndoshta edhe kjo na ka lënë mbrapa. Por, unë mendoj se më mirë është që këtu në vendin tonë të zhvillojmë karrierë që Kosova të ecë përpara”, thotë ajo.

Derisa Arti mendon se për të ndërtuar të ardhmen në Kosovë, gjërat duhet të përmirësohen.

“Qysh është situata tani, nuk mund ta shoh të ardhmen time në Kosovë, por të shohim në të ardhmen si po ecin gjërat”, thotë ai.

Ngjashëm, shprehet edhe Jora Zeneli:

“Për momentin nuk e shoh të ardhmen në Kosovë, por nëse zhvillohet Kosova, ka perspektivë, atëherë që po”.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, mbi bazën e dokumentit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, i njohur si Plani i presidentit Marti Ahtisaari. Ky dokument, u bë më pas bazë e Kushtetutës së Kosovës, e cila e përcakton atë si një shtet të pavarur, sovran por edhe shumetnik. (REL)

Temat
Përgjithshme

Të afërta