Reklama e Budweiser shkakton debate pas ndalimit të myslimanëve në SHBA

Spoti i ri i reklamës së birrës “Budweiser”, i cili përqendrohet te një refugjat që sapo mbërrin në Amerikë, ka shkaktuar mjaft debate pas publikimit në kulmin e momentit kur presidenti Donald Trump ka ndaluar udhëtimin e personave nga shtatë vende myslimane drejt SHBA-ve.
Megjithatë, kompania thotë se reklama nuk ka asnjë qëllim politik dhe se ajo kishte përfunduar disa muaj përpara se Trump-i të firmoste urdhrin ekzekutiv.

Spoti tregon historinë e mbërritjes së Adolphus Busch, një nga themeluesit e Budweiser, nga Gjermania në SHBA në vitin 1857.

Pas mbërritjes në Amerikë, Busch pritet nga një turmë e nervozuar njerëzish, të cilët bërtasin: “Nuk të duam këtu, kthehu në shtëpi!”

Megjithatë, fati dhe sjellja e vendasve ndryshojnë kur ai mbërrin në St. Louis dhe takon Eberhard Anheuser, i cili i ofron atij një birrë në bar.

Më pas, të dy do të themelonin kompaninë e njohur “Budweiser”.

Temat
OpinionePërgjithshme

Të afërta