Protesta në Mitrovicë, organizatorët fajësojnë Bahtirin e Kastratin për numrin e vogël

Rreth 30 persona kanë protestuar sot afër urës së Ibrit në Mitrovicë, për të kundërshtuar ngritjen e shtatores së “Car Llazarit” para disa dite në veri të këtij qyteti, si dhe ndërtimin e lagjes serbe të quajtur “Lugina e Diellit” në Zveçan.

Organizatori i kësaj proteste, Ardion Gashi, tha se thirrja e Agim Bahtirit dhe Avni Kastratit përmes mediave ka ndikuar që të ketë numër të vogël të pjesëmarrësve në protestë.

“Jemi dal sot këtu për të protestuar kundër vendosjes së bustit të Car Llazarit në Mitrovicë dhe kundër ndërtimit të “Luginës së Diellit në Zveçan… thirrja e Agim Bahtirit dhe Avni Kastratit nëpërmjet mediave dhe rrjeteve sociale ka ndikuar që protesta të jetë kaq e zbehtë”, tha Gashi.

Ai tha se protesta është organizuar nga një grup studentësh dhe paralajmëroi se edhe në të ardhmen do të organizojnë protesta të tilla.

Protestës i është bashkuar edhe Skender Berisha nga Prishtina, veprimtar i çështjes kombëtare, i cili tha se i është bashkëngjitur protestës kundër ngritjes së shtatores së një “krimineli” anti shqiptar në tokën e Shqipërisë.

Edhe Berisha tha se kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ka ndikuar tek qytetarët që të mos marrin pjesë në këtë protestë.

“Unë kam ardhur nga Prishtina me u solidarizu me popullin dhe kërkesat e protestuesve kundër vënies së një krimineli anti shqiptar në tokën e Shqipërisë, edhe po ashtu kundër ndërtimit të banesave për serbët. Derisa 16 mijë e 900 shqiptarë janë shpërngulur Brenda dy orëve dhe nuk kanë të drejtë të kthehen në tokat e tyre dhe në shtëpitë e tyre, qeveritarët titistë si Putini dhe Hashim Thaçi po flejnë…Derisa bariu i Mitrovicës Agim Bahtiri, në vend se të ruan delet, thërret popullin mos të dalë në protestë, sepse ia prishin kumbarinë me Rakiqat, dhe ky është turpi shqiptar”, tha Berisha, transmeton kosovapress.

Protesta ka zgjatur disa minuta dhe nuk është shënuar ndonjë incident.

Temat
Përgjithshme

Të afërta