Qytetarët, për dhe kundër futjes së lëndës së mësim-besimit në shkolla

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë sjellim mendimet e të rinjve rreth futjes apo jo të mësim-besimit në plan-programet mësimore në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë.

Të rinjtë në Kosovë kanë mendime kundërthënëse, për dhe kundër futjes së edukatës fetare në plan-programet mësimore në shkollat fillore dhe të mesme publike në Kosovë.

Një i ri nga Prishtina, me emrin Metin Q, mendon se duhet të futet mësimi për fenë në kuadër të sistemit arsimor fillor dhe të mesëm. Megjithatë, ai thotë se në Kosovë nuk ka kuadro për ligjërimin e kësaj lënde.

“Duhet të futet lënda e mësim-besimit, por duhet të jetë për të gjitha fetë. E për këtë duhet të ketë shumë mësimdhënës e përzgjedhja e mësimdhënësve është vështirë të bëhet, ne jemi dëshmitarë të asaj se çfarë është duke ndodhur me njerëz që po shquhen si fetarë, e në të kundërtën po bëjnë gjëra jo të mira”.

“Për momentin, është vështirë të gjenden profesorë. Ai, i cili do ta ligjëronte këtë lëndë, nuk do të duhej që t’u imponojë nxënësve një fe, por të shpjegohen vetëm ato (gjëra) bazike mbi fenë”, thotë ai.

Eriola M, është 20 vjeçe. Ajo shprehet për futjen e lëndës së mësim-besimit në shkollat fillore dhe të mesme. Sipas saj, kjo lëndë do të duhej të ligjërohet nga profesionistë të fushës së teologjisë.

“Përderisa një njeri ka studiuar teologjinë dhe është magjistër në këtë fushë ai duhet të jetë në gjendje që të japë njohuri për këtë dhe nuk do të thotë që ai bindjet e veta t’i përcjellë te nxënësit. Është njëjtë sikur një profesor iJuridikut, i cili është me një parti, ai studentëve të vet nuk duhet t’u japë bindje partiake, por t’ua shpjegojë atë çka duhet. Edhe në këtë rast nëse dikush që ligjëron rreth fesë, ai ligjëron për të gjitha fetë dhe nëse ai i takon një feje, nuk duhet ta imponojë atë fe te nxënësit”, thotë Eriola.

Ndërkohë, Z.K ndjek mësimet në një shkollë të mesme publike në Prishtinë. Ajo thotë se është e panevojshme futja e lëndës së edukatës fetare nëpër shkolla.

“Më mirë të jetë shkolla laike, mos të mësohet për fenë fare në shkolla. Nëse dëshirojmë të mësojmë për fenë, në Kosovë ka shkolla të tilla, siç është Medreseja, po ashtu edhe Kisha, aty mund të shkojmë të mësojmë, por në shkolla jo”, thotë ajo.

Argjenta I, mendon se futja e lëndës së mësim-besimit në shkolla, do të krijojë përçarje të mëdha ndërmjet nxënësve. Ajo tregon ngjarje kur në shkolla është folur për fenë dhe kur situata kishte eskaluar.

“Zakonisht, bëhen debate të ashpra ndërmjet nxënësve kur flitet për fetë dhe po besoj që futja si lëndë e besimit fetar, do të bënte përçarje edhe më të mëdha, më mirë do të ishte të anashkalohet dhe të mos futet në proces mësimor. Mua më ka ndodhur kur kam parë shumë përçarje mes nxënëseve kur është folur për fenë. 40 minuta sa zgjat një orë të flitet për fenë do të krijoheshin konflikte të mëdha ndërmjet nxënësve”, shprehet Argjenta.

Liridona, një vajzë e re, thotë që kjo lëndë e veçantë për fetë nuk do të duhej të ishte obligative në shkollat fillore apo të mesme. Ajo thotë se mjafton ajo çka mësojnë për fetë aktualisht në lëndën e edukatës qytetare.

“Unë mendoj që kjo të jetë vetëm lëndë zgjedhore, nëse dikush dëshiron të mësojë për fenë, të shkojë dhe të ndjek atë lëndë, nëse dikush nuk do, të mos shkojë në atë orë mësimi”, thotë Liridona.

Blerim T, i cili sapo ka përfunduar shkollën e mesme, është për futjen e lëndës së mësimit fetar në shkolla:

“Mendoj që do të ishte mirë të mësohet për fetë në shkolla, por do të isha kundër që këtë lëndë ta japin profesorë të filozofisë apo psikologjisë, pasi që mendoj se nuk kanë njohuri për këtë”.

Adyli, është nxënës i shkollës së mesme, shprehet kundër mësimit të një feje në shkolla.

“Ka shumë fe, nëse mësojmë për të gjitha fetë, do të ishte në rregull, por jo të mësohet vetëm për një fe”, shprehet ai.

Futja ose jo e lëndës së mësim-besimit në shkollat fillore dhe të mesme, tashmë ka kohë që është iniciuar si temë debati në Kosovë. Ky debat është përcjellë me qëndrime kundërthënëse për dhe kundër të përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Sidoqoftë, Ligji aktual për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës nuk lë hapësirë që të futet si pjesë e arsimit edhe edukata fetare si lëndë e veçantë. Futja e kësaj lëndë në institucionet arsimore, dikton nevojën e ndryshimeve paraprake ligjore.

Në nenin 3 të Ligjit, ku flitet për parimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar, thuhet se: “institucionet publike arsimore duhet të përmbahen nga mësimdhënia fetare ose veprimtaritë tjera, të cilat propagandojnë një fe të caktuar”.

Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri multi-etnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, besimet fetare të të cilave janë të ndryshme.

Temat
OpinionePërgjithshme

Të afërta