Një vit nga rasti “Kumanova”!

U bë një vit dhe të arrestuarit në rastin “Kumanova”, po mbahen ende nëpër burgjet e Maqedonisë. E familjarët e tyre thonë se ende asgjë nuk është bërë për ta nga institucionet e Republikës së Kosovës për t’ju ofruar ndihmë juridike.

Lidhur me këtë, Telegrafi ka kontaktuar zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, përkatësisht Divizionin për Komunikim me Publikun, të cilët kanë thënë se MPJ-ja, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup ka bërë gjithçka që është e mundur, në kuadër të obligimeve kushtetuese dhe ligjeve e konventave ndërkombëtare që ta adresojë këtë çështje.

Sipas MPJ-së, Ambasada e Kosovës në Maqedoni ka krijuar një grup ad hoc që të bashkërendojë veprimet edhe me instancat e tjera qeveritare për ta adresuar çështjen.

“Ndonëse e gjendur në një situatë të rëndë me mundësi akuzash të paqëndrueshme për vetë Kosovën në arenën ndërkombëtare si fqinj i Maqedonisë, MPJ ka shpjeguar që ngjarja tragjike e Kumanovës nuk ka të bëjë fare me ndonjë rol negativ të shtetit të Kosovës”.

Gjithashtu ata thonë, se MPJ ka ndihmuar në gjetjen e mbrojtjes juridike.

“Për më tepër, ne kemi luajtur rol konstruktiv. Sa i përket angazhimit për të arrestuarit, menjëherë janë ndërmarrë veprime, duke komunikuar me përfaqësuesit e institucioneve përkatëse në Maqedoni. MPJ ka ndihmuar në gjetjen e mbrojtjes juridike, duke sensibilizuar edhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si Human Rights Watch, si dhe duke biseduar me përfaqësues të korit diplomatik dhe me përfaqësues të medieve”, thonë zyrtarë nga DKP.

E sa i përket të ekzekutuarve në rastin “Kumanova”, ata thonë se Ambasada e Kosovës ka ndihmuar që në mënyrë rekorde për vetëm 24 orë procedure të rikthehen trupat e kosovarëve të vdekur.

Sipas tyre, udhëheqësit e Ambasadës së Kosovës disa herë i kanë vizituar të burgosurit në burgjet e Shutkës, Manastirit e Prilepit.

Përderisa familjarët e personave të arrestuar ankohen për gjendjen e rëndë fizike dhe maltretimet që po iu bëhen nëpër burgje, DKP thotë: “Prijësit e Ambasadës së Kosovës në Shkup, kanë alarmuar avokatin e popullit të Maqedonisë, Ixhet Mehmeti në rast abuzimi dhe kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me ish ministrin e Drejtësisë në Maqedoni, Adnan Jashari, me përfaqësues të MPJ-së si dhe të MPB-së së atjeshme. Ndër të tjera, ambasadori, Ylber Hysa së bashku me grupin e përfaqësuesve të familjarëve ka mbajtur disa takime me ish ministrin Jashari dhe kryetarin e Gjykatës së Shkupit, Vlladimir Pançevski për t’i paraqitur shqetësimet dhe obligimet ndaj të akuzuarve në rastin e Kumanovës”.

Mirëpo, a ka pasur takime në instancat e sigurisë ndërmjet dy shteteve?

“Përfaqësuesit e Ambasadës sonë kanë insistuar në të gjitha takimet me palën maqedonase dhe me bashkësinë ndërkombëtare që të jenë të pranishëm aty, të ketë gjykim korrekt sipas ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare dhe kanë vëzhguar të gjitha seancat e hapura gjyqësore së bashku me misionin e OSBE-së në Maqedoni”, thuhet tutje nga DKP.

Ata thonë se MPJ do të vazhdojë të kryejë obligimin dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Sipas informacioneve të fundit nga avokatët dhe instancat gjyqësore, procesi do të vazhdojë duke përfillur gjetje të reja, sipas tyre. Ndërkohë MPJ do të vazhdojë edhe më tutje në mënyrë intensive në kuadër të obligimeve të saj ligjore e kushtetuese, gjithnjë duke u bazuar edhe në konventa ndërkombëtare, të kryejë obligimin dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve kosovarë të përfshirë në ngjarjen tragjike të Kumanovës”.

Ndryshe, në burgjet e Maqedonisë po mbahen 29 persona shqiptarë të burgosur, kryesisht nga Kosova.

Ata janë ende në procedurë gjyqësore, ku disa herë kanë deklaruar se janë pafajshëm. Procesi i ardhshëm gjyqësor do të jetë më 13 maj.

Temat
Përgjithshme

Të afërta