Ramiz Kelmendi: Dua të jem zëvendëskryeministër

Që kur posti i zëvendëskryeministrit të Kosovës ka mbetur i zbrazët, janë përmendur disa emra potencial për këtë pozitë.

Përveç ministrit aktual të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i interesuar për këtë pozitë është edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, raporton Indeksonline.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka treguar për garën për pozitën e zv/kryeministrit që deri para disa javësh e mbante presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kelmendi ka theksuar se gara e tij nuk është për poste politike dhe se nuk ka nisur të zhvilloj betejë me askënd, duke aluduar në Kuçin.

“Hajredin Kuçi është profesionist dhe njeri me përvojë në fushën e politikës, kurse unë kam çështje tjera, jam profesionist në ekonomi dhe kam përvojë me ekonomi. Gara siç po quhet, unë mendoj se është ndryshe, është realizim i një premtimi me qëllim të ngritjes së performancës ekonomike të Kosovës, dhe këto dy koncepte nuk bien ndesh, por e fuqizojnë edhe më shumë konceptin qeverisës politik, ekonomik e juridik. Nuk kam nis të zhvilloj betejë apo garë me asnjë person, për arsye se dallojmë mes vete, ai është profesionist për politikë e jurispodencë, unë jam për ekonomi, pra kemi dallime në këtë drejtim, dhe unë nuk po garoj për poste politike”, ka thënë Kelmendi.

Duke folur për takimet e shpeshta të zhvilluara kohëve të fundit me ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, deputeti Kelmendi ka thënë se këto takime janë zhvilluar në aspektin e kontaktit me grupin parlamentar dhe se nuk bëhet fjalë për afërsi mes tyre, siç kanë raportuar disa media.

“Unë nuk kam ndonjë takim më të ngjeshur, por takimet tona janë më të ngjeshura në aspektin e kontaktit me grupin parlamentar për arsye se tash ai është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës edhe ushtrues detyre i PDK-së, e këto kontakte ndoshta po vlerësohen si kontakte të ndryshme. Nuk ka kontakte jashtë kësaj por edhe të kishte kam kënaqësi të jem i ftuar nga kryetari i kuvendit dhe partisë sepse kam mundësi më shumë që të shpreh vizionet e mia sepse vizionet pa mbështetjen e kryetarit dhe kolegëve nuk mund të realizohen”, ka theksuar Kelmendi, duke shtuar se baza kryesore e realizimit të vizioneve të tij është mbështetja e kryetarit, në këtë rast Kadri Veselit. /Indeksonline/

Temat
Përgjithshme

Të afërta