"Që nga viti 2013 kur është krijuar Fondi Zhvillimor për veriun e Kosovës, nga dy pikat kufitare në atë pjesë janë grumbulluar rreth 10 milionë euro, 6 milionë nga të cilat janë në proces të investimit në projekte të ndryshme", ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Financave Avdullah Hoti, duke shtuar se ky fond ka përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve në atë pjesë, njëherësh ndikim pozitiv ka pasur edhe në integrimin e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.