Kuvendi shtyn miratimin e Rezolutës për lirimin Thaqit

Numri i pamjaftueshëm i deputetëve pjesëmarrës në seancën e jashtëzakonshme, ka ndikuar që Kuvendi i Kosovës të shtyjë miratimin e Rezolutës me të cilën do të kërkohej lirimi i menjëhershm i Drejtorit rajonal të Policisë, Nehat Thaçi, i cili po mbahet nën masën e arrestit në Serbi.
Pas afër katër orë diskutimesh, deputetët vendosën që teksti i rezolutës të përpilohet nga një grup i deputetëve, në përbërje nga shumica e partive parlamentare.

Kurse votimi i saj, pritet të ndodhë të mërkurën, ngaqë të martën pjesëmarrja në seancë ishte tejet minimale.

Thaçi është arrestuar më 29 shtator në vendkalimin kufitar në Konçul dhe me vendimin e një gjykate të lartë në Nish, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ai akuzohet nga autoritet serbe, për siç thuhet, veprën penale për largimin e një familje serbe nga Kosova, në Komunën e Lipjanit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se arrestimi i drejtorit Thaçi nga autoritet serbe është akt politike dhe siç u shpreh ai, veprimet e tilla nuk i kontribuojnë normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Iniciuesi i thirrjes së seancës, deputeti Gëzim Kelmendi, ka kërkuar që shtetit të Serbisë t’i bëhet e qartë se Kosova duhet t’i thotë Serbisë mjaft me arrestimin dhe maltretimin e shqiptarëve.

Ai pos tjerash ka kërkuar që bisedimet me Serbinë të ndërpriten menjëherë.

Në bazë të flet-arresteve serbe, disa herë kanë rënë “viktima” ish-drejtuesit e luftës në Kosovë.

Ramush Haradinaj, ish komandant i Zonës Operative të Dukagjinit në periudhën e UÇK-së, kryetar i partisë politike AAK ,në vitin 2015 ishte ndaluar nga autoritetet sllovene, në bazë të një flet-arresti të lëshuar nga Serbia, në vitin 2004.

Para Haradinajt, edhe komandanti i përgjithshëm i UÇK-së dhe ish kryeministri Agim Çeku ishte ndaluar. Ai një herë është ndaluar në Slloveni, një herë në Bullgari dhe një herë në Kolumbi. Edhe Çeku ka flet-arrest nga Serbia për pjesëmarrje në luftën e Kosovës dhe në Kroaci.

Temat
LajmeVend

Të afërta