Ditën e djeshme i gjithë plazhi i Velipojës u trondit nga shpërthimi i një restoranti në kompleksin Fishta.
Për pasojë mbetën të plagosur nga djegia dhe asfiksia tre persona, pronari i restorantit, djali i tij dhe kamarierja. Ndërkohë, të tjerë persona kanë rrezikuar jetën e tyre edhe për të shpëtuar jetën e këtyre tre të plagosurve, siç është rasti i infermieres Vjollca Voci.
Në një intervistë për News 24, Vjollca rrëfen momentin kur ka gjetur të shtrirë në tokë babë e bir, ndërsa ishin të djegur tërësisht sidomos në fytyrë dhe në gjymtyrë. Madje, ajo tregon se ka pranuar të rrezikojë edhe jetën e saj vetëm për të shpëtuar të plagosurit, njëri prej të cilëve i tha: “Më shpëto jetën motër se jam tu vdek”.
“Nga flakët e mëdhaja nuk hynim dot. Kur hyra pashë njërin në asfalt dhe njëri në lulishte, i pari komplet i djegur, ndërsa i dyti më tha: më shpëto jetën motër se jam tu vdek. I kena dhënë ndihmën e parë me oksigjen, kur kam hy brenda kishte tym shumë e jena asfiksu të gjithë aty që ishim. Dy fëmijë me një burrë i nxorrëm jashtë, ai thoshte se ka prapë njerëz brenda, flaka e madhe na goditi edhe unë kam rënë gjendje shoku krejt. Edhe pse kam rreziku jetën nuk është hic problem”, u shpreh infermierja Vjollca Voci.