Diplomati kosovar në Tiranë: Ndalesa e autobusëve në Durrës për shkak të trafikut

Ambasada e Kosovës në Shqipëri, gjegjësisht ushtruesi i detyrës së ambasadorit, Sylë Ukshini, ka njoftuar se sot ka mbajtur një takim me kryetarin e Bashkësisë së Durrësit, Vangjush Dako, më të cilin kanë folur rreth çështjes së ndalimit të autobusëve që udhëtojnë nga Kosova për në Plazhin e Durrësit.

Sylë Ukshini ka sqaruar për Express se në takim me autoritetet në Durrës kanë biseduar rreth kësaj çështjeje dhe se nuk ka vendim për ndalimin e kosovarëve, mirëpo është çështje rendi dhe rregulli.

“Nuk ka vendime kundër kosovarëve, është çështje rendi dhe rregulli. Autobusët duhet të kenë destinacion dhe nuk mund të ndalën në çdo pjesë të qytetit”, ka thënë Ukshini, derisa ka sqaruar se autobusët, për të cilët u raportua se nuk po ndalen (ata të operatorëve të huaj), kurse këta nga Kosova po, shkojnë drejt në destinacionin e tyre në hotele dhe nuk ndalen rrugës për të shkaktuar kaos në qytet.

Megjithatë, Ukshini sqaroi për Express se ky ndalim është më shumë çështje dhe disipline në trafik, “komfor rritjes së kërkesave për një shërbim më efektiv edhe për turistët e huaj”, duke shtuar se “edhe në Dubrovnik nuk mund të ndalosh ku të duash”.

Në takimin që u mbajt sot midis u.d të ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini dhe kryetarit të Bashkësisë së Durrësit, Vengjush Dako është sqaruar kjo problematikë dhe sipas këtij të fundit autobusët e turistëve nga Kosova kalojnë nëpër unazën e plazhit dhe kanë edhe 4-5 rrugës dytësore të kësaj zone në afërsi të rrugës “Pavarësia”.

Megjithatë komunikata e dërguar nga Ambasada e Kosovës në Shqipëri, tregon se kryetari i Bashkësisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka mohuar se autoritet vendore të Durrësit po i diskriminojnë autobusët nga Kosova. Ai gjithashtu ka thënë se për turistët e jashtëm, që vijën në rrugë tokësore ose përmes Aeroportit të Rinasit dhe më pas me autobusë vendosen nëpër hotele, nuk vlen një ndalesë e tillë për faktin se operatorët e tyre kanë vetëm një destinacion dhe nuk ndalojnë në qytet.

Ambasada njofton dhe citon Dakon se deri tani asnjë operator turistik nga Kosova nuk ka shkuar apo kontaktuar autoritetet e Durrësit për t’u pajisur me leje të tillë.

“Dako na siguroi se autoritetet e Durrësit mirëpresin gjithmonë turistët nga Kosova, pavarësisht ardhjes së turistëve nga shtetet tjera, si Polonia, Çekia, Sllovakia, Bosnja, e të tjera”, shprehet Ukshini.

Në fund të takimit, ushtruesi i detyrës së Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, ka kërkuar nga kryetari Vangjush Dako që të bëhet më shumë nga autoritetet e Durrësit për të rritur komunikimin dhe informimin me kohë për turistët nga Kosova. /GazetaExpress/

Temat
LajmeRajon

Të afërta