Ja sa kanabis fshihej prej një viti në Llakatund, transortohet drejt Tiranës (VIDEO)

15 ton e 162 kilogramë është sasia e kanabisit që u zbulua nga Policia e Vlorës në fshatin Llakatund, që vuri në pranga 9 persona, dy prej të cilëve punonjës policie dhe një kryeplak fshati.

Gjithashtu në aksionin e gjerë me rreth 150 forca policie, u sekuestruan edhe 5 armë zjarri, 3 presa për lëndën narkotike, vaj hashashi, sita e përbërës kimikë.

Sasia rekord e drogës u peshua pas thuajse 24 orësh nga momenti i zbulimit.

Sasia më e madhe e drogës u gjet në orët e mbrëmjes, mbi 14 ton, në tre banesa në fshatin Dritash, ndërsa gjatë ditës së sotme, u gjet edhe një sasi prej rreth 700 kg kanabis, ndërsa u asgjësuan edhe rreth 270 bimë kanabisi. Kjo është sasia e vetme e kultivuar këtë vit, pasi rekordi prej 15 tonësh, është kanabis i mbetur nga kultivimi masiv që pati kjo lëndë narkotike gjatë vitit të shkuar.

Policia sqaron në një njoftim zyrtar se operacioni nisi më datë 13 korrik nga Policia e Vlorës mbështetur nga FNSH-ja e Fierit, Specialistët e SHÇBA-së dhe Prokuroria e Vlorës. Forcave mbështetëse të policisë u është shtuar edhe asistimi i qenit antidrogë, i specializuar për konstatimin e lëndës narkotike.

Video nga aksioni i policise

Operacioni u ndoq dhe u monitorua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, dhe Drejtori i Përgjithshëm i SH.Ç.B.A.

Policia thotë se vazhdojnë veprimet e mëtejshme të transportimit të lëndës narkotike drejt ambienteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta