Të gjithë efektivët e policsë të cilët janë trajnuar për të qenë në terren ditën e zgjedhjeve e për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Shqipëri, do të kenë në xhepin e tyre, librin kujtesë.
Aty, janë të gjitha udhëzimet dhe detyrat e tij, si dhe veprimet që përbëjnë shkelje nga ana e subjekteve politike, apo qytetarëve. Në qarkun e Korçës, janë angazhuar 500 punonjës të policisë, të cilët do të ruajnë edhe godinat ku bëhet votimi, dhe më tej numërimi i votave.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Korcës
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në programin e punës të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit “Mbi garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë periudhës zgjedhore , në zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë” , nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë si dhe 5 Komisariatet në vartësi të saj kanë marrë e po zbatojnë të gjitha masat e duhura sipas procedurave standarde.
– Secili punonjës policie është trajnuar si dhe është pajisur me librin e xhepit kujtesë dhe me dokumentin identifikues sipas numrit kodik të punonjësve që do të angazhohen me shërbime gjatë procesit zgjedhor.
– Janë ngritur grupet e drejtimit në Komisariate dhe Grupi i Koordinimit në Drejtori për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe menaxhimin e çdo lloj situate bazuar në planin e veçantë të masave ” Për menaxhimin policor të situatave të papritura gjatë procesit zgjedhor” .
