Kontratat e dyshimta: Ndërpriten punimet në dy autostrada që ndërtojnë kinezët në Maqedoni

Punimet e ndërtimit në dy seksionet e autostradës Miladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër janë ndërprerë, ka konfirmuar kryeministri Zoran Zaev në takimin me ambasadorin kinez Lin Lucien, njoftojnë nga Qeveria.

Zaev tani për tani nuk dëshiron që të zbulojë se për çfarë problemesh bëhet fjalë, kurse ministri i ri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski akoma nuk ka përgatitur informata të detajuara, por për njohuritë e deritanishme ai e ka informuar ambasadorin kinez.

Sipas mediave të afërta me LSDM, për rrugën Miladinovci – Shtip është nënshkruar aneks i marrëveshjes për rifillimin e aktiviteteve të ndërtimit, ndërsa rruga Kërçovë – Ohër ka pasur një mospërputhje në mes të rrugës së projektuar.

Të dy autostradat janë duke u ndërtuar me një kredi prej 500 milionë dollarë nga Exim Banka kineze. Ndërtimin e realizon kompania kineze Sinehidro kurse si nënkontraktorë janë kompanitë maqedonase “Granit” dhe “Beton”. Autostrada deri në Shtip është dashur që të lëshohet me 1 maj të këtij viti, kurse ajo Kërçovë-Ohër do të duhej të përfundonte deri në fund të shkurtit të vitit 2018.

Temat
LajmeRajon

Të afërta