Nesër parlamenti mblidhet në seancë të jashtëzakonshme… shkak bëhen dy binjake!

Ditën e nesërme parlamenti shqiptar do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të bërë të mundur zëvendësimin e deputetes demokrate Jorida Tabaku, e cila është anëtare e komisionit Ad Hoc për Vettingun.

Por seanca e jashtëzakonshme, e paralajmëruar nga Pandeli Majko këtë të enjte, në fakt nuk vjen si shkak i vetë Jorida Tabakut.

Zonja Tabaku ka lindur ditën e djeshme dy vajzat e saj binjake, që në njëfarë mënyre janë “shkaktaret” e pavullnetshme të një seance të jashtëzakonshme parlamentare, një ngjarje kjo që nuk kishte ndodhur ndonjëherë.

Vendimi u mor sot, në mbledhjen e komisionit Ad Hoc, ku pritej të zgjidheshin kandidatët për njërin ndër komisionet e vettingut. (Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve)

“Nesër në një sesion të jashtëzakonshëm të Parlamentit do të mbledhim firmat për zëvendësimin e Tabakut. Parlamenti të zëvendësojë Jorida Tabakun”, tha Majko gjatë mbledhjes.

Zëvendësimi i Jorida Tabakut bëhet i domosdoshëm pasi nuk ishin parashikuar zëvendësues të opozitës për komisionin Ad Hoc.

Ditën e djeshme po i njëjti komision ad hoc zgjodhi anëtarët e komisionit të apelimit, edhe ky një organ i rëndësishëm i Vettingut./Gazeta Express

Temat
LajmeRajon

Të afërta