LSI i adreson SHBA-ve dhe BE-së tre shqetësimet për zgjedhjet e 25 qershorit

Një përfaqësi e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e kryesuar nga kryetari i kësaj force politike Petrit Vasili, takuan këtë të mërkurë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësues të SHBA-së dhe OSBE-së, për të ngritur tek ta shqetësimet në këtë situatë politike në Shqipëri, kur na ndajnë dhe më pak se dy javë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

Detajet e këtij takimi i ka bërë publike nënkryetari Luan Rama , i cili tha se fokusi i bisedimeve u ndal tek spastrimet politike në administratat publike, shfrytëzimi i policisë së Shtetit për fushatën dhe vendimi i fundit i KQZ-së që nuk i dha numërues LSI-së.

“I shpjeguam ambasadorëve veprimin arbitrar, të kundraligjshëm të Task Forcës e cila në përpjekje për të frikësuar qytetarët, për të bërë presion, ka nisur fushatë spastrimesh politike në administratat publike. E dokumentuam me dhjetëra raste. Kjo është parathënie e një tentative për të deformuar të gjitha parimet kushtetuese në funksion të fushatës së zgjedhjeve”, – u shpreh Luan Rama.

Sipas Luan Ramës strukturat e Policisë së Shtetit po shpërdorohen politikisht.

“Policia ka lënë jashtë vëmendjes grupet kriminale, njerëz me precedentë penalë të liruar nga burgu kohët e fundit për t’i përdorur ata si pjesë të stafeve politike, veçanërisht të PS-së. I treguam ambasadorëve me raste konkrete”, shtoi ai.

Për nënkryetarin e LSI-së, vendimi i fundit i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është në shkelje të plotë me Kodin Zgjedhor, pasi LSI unk duhej të hidhej në short me parti tjetër për ta pasur numëruesin që i takon me Kushtetutë.

“Kodi zgjedhor e ka të përcaktuar qartë se si ndahet shumica parlamentare dhe pakica referuar zgjedhjeve të vitit 2013. Kemi të bëjmë me një demonstrim të dy qëndrimeve në kohë të ndryshme, në shkelje të ligjit”, tha Luan Rama.

Në një deklaratë për mediat, Luan Rama tha se në takim ishin të pranishëm edhe Klajda Gjosha e Ilirjan Muho. /Gazeta Express/

Temat
Rajon

Të afërta