I rrezikshmi nga Vlorë arrestohet në një lokal në Tiranë

Policia e Vlorës bën me dije se pas një pune dhe hetimi intensiv për kapjen e ndalimin e personave të shpallur në kërkim, kanë ushtruar kontrolle në ambiente të ndryshme dhe në tre banesa në Tiranë e Vlorë, ku dyshohej se mund të fshihej një person i shpallur në kërkim.

Mbi bazën e informacioneve të siguruara nga qytetarët është lokalizuar vendndodhja e tij në një lokal pranë vendit të quajtur ”unaza e re” në Astir, Tiranë.

Si rezultat i ndërhyrjes së Policisë është kapur dhe arrestuar Blendo (Edison) Alikaj, 32 vjeç, banues në Vlorë.

Për 32-vjeçarin, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka caktuar masën ”Arrest me burg”, pasi dyshohet se është autor i ngjarjes së ndodhur në qytetin e Vlorës në janar të këtij viti, ku lagjen ‘’Hajro Çakërri’’, pranë Poliklinikës, ka qëlluar me armë zjarri automatik dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur tre persona.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një nga banesat në Vlorë janë gjetur dhe sekuestruar 3 fishek pistolete, 1 palë dorashka të zeza dhe 1 kapuç-maskë.

Gjithashtu në përfundim të veprimeve hetimore të kryera prej Policisë ka rezultuar si autor i dyshuar në ngjarjet e ndodhura më parë dhe konkretisht:

Më datë 03.11.2016, në lagjen ”Isa Boletini” tek lulishtja e Kalit të Trojës, sëbashku me një tjetër shtetas dyshohet të ketë qëlluar me armë zjarri automatik.

Më datë 18.05.2017, në vendin e quajtur ”Jonufër” sëbashku me tre shtetas të tjerë dyshohet se ka shtrënguar me anë të kanosjes dhe dhunës një tjetër shtetas për dhënien e një shume të caktuar lekësh.

Shtetasi Blendo (Edison) Alikaj është shtetas me precedentë penal si edhe i dënuar më parë lidhur me disa vepra të ndryshme penale të ndodhura në Vlorë.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ndaj shtetasit të mësipërm për veprime të mëtejshme.

Temat
LajmeRajon

Të afërta