“Përballja e fortë mes Edi Ramës dhe Spartak Ngjelës”

Sot, ndoshta shumë i kanë harruar “betejat” e vërteta politike për të marrë Bashkinë e Tiranës, atëherë kur Partia Demokratike kandidonte me merat e vet më të mirë, atëherë kur përpara Edi Ramës qëndronte Besnik Mustafaj apo Spartak Ngjela, me një kulturë të jashtëzakonshme politike dhe intelektuale.

Shumë ndoshta i kanë harruar, të tjerë nuk i kanë jetuar. Si dëshmitar i kohës dhe një rrëfimtar i hollë, Preç Zogaj na i rikthen në vëmendje këto ngjarje përmes publicistikës së tij. UET-Press sjell në Panairin e Librit rrugëtimin prej gati tre dekadash të Preç Zogajt në publicistikën shqiptare, si një dëshmi e jashtëzakonshme e një dëshmitari okular të historisë sonë politike.

“Nga fillimi në fund”, kolana prej dy vëllimesh, sjell të plotë profilin e Shqipërisë së pas viteve ‘90. Personazhet që bënë politikën e periudhës së gjatë të tranzicionit, vijnë për lexuesin me gjithë dritë-hijet e tyre. Një nga momentet më interesante është pa dyshim beteja për Tiranën dhe fushata qytetare e avokat Spartak Ngjelës.

PREÇ ZOGAJ

Kandidimi i Ngjelës përballë Edi Ramës në zgjedhjet vendore të vitit 2003 Pa të ngjashëm, i pari dhe ndoshta e fundit në llojin e vet, fytyrë e punuar prej dijes, shijes dhe shakasë; lëkurë e holluar dhe e zverdhur nga vitet e gjata të burgut dhe jeta sedentare atje, por që fare mirë mund të merret, në mos është e vërtetë, si ngjyra artistokratike e muzës dhe kotësisë; poet i shijeve të holla, që ka hedhur a s’ka hedhur tre-katër vargje në letër; politikan i rrallë që nuk ka humbur asnjë betejë, por edhe që nuk ka fituar asnjë me peshë të madhe ama; filozof, historian, estet, vegimtar, virtual, pragmatist, i shpejtë si shigjeta dhe gati-gati i panjohur kur në dy-tre orë të ditës i duhet të kapë gjahun e të jetuarit, të sillet si thjeshtër i Hobsit për të siguruar orët e tjera si ithtar i Emanuel Kantit-kush është ky njeri që, pas një dite të ngarkuar me ecejake në tokë poshtë, është ngjitur në tarracën e hotel-Grandit në zemër të Tiranës, aty ku ka qenë dikur ish blloku komunist, dhe po kundron prej atje qytetin e kredhur në heshtje?

Është Spartak Ngjela, një burrë që si Talerani apo si Kazanova, nuk e tregon më moshën pasi ka kaluar të pesëdhjetat. Në shoqërinë e miqve të mesnatës, të cilët sipas rastit, herë i mbingarkon me vëmendje, herë nuk i vë re se janë aty rrotull, zoti Ngjela po merr pak ajër të pastër, po rivendos distancën e përhershme me ca objekte dhe dukuri me të cilat ka pasur të bëjë gjatë ditës, po mendon … se të gjithë ata njerëz që banojnë poshtë taracave e çative që ka para syve mund të prezumohen si votues të tij.

“Po. Ata të gjithë mund të prezumohen si klientët e mi”, thotë nën zë si Palmieri i Lesli Uollërit tek romani “Bankieri”. Një buzëqeshje delikate dhe e gjerë pason këtë përfytyrim. I do njerëzit, por politikisht ndihet më shumë liberal se demokrat. Preferon sallonin në vend të sallës dhe anon nga vizioni intelektual i një aristokracie të hapur, ku futen pareshtur njerëz të të gjitha shtresave me kushtin e vetëm që “të kenë intelekt, dituri, klas dhe aftësi për të shkuar përpara”.

Pak ditë më parë, me kërkesën e Berishës, ka dorëzuar mandatin e deputetit dhe ka kandiduar për postin e kryebashkiakut të Tiranës. Shumica e drejtuesve të PD-së, ndoshta edhe vetë Berisha, e kanë konsideruar praktikisht të humbur, por i ndihen mirënjohës këtij Hektori që me kandidimin e tij ruajti nderin e opozitës, duke evituar një humbje poshtëruese, pa garë, përballë kryebashkiakut në detyrë, Edi Rama. I vetmi ndoshta, që s’ka treguar asnjë shenjë pesimizmi apo mosbesimi në fitore ka qenë dhe mbetet vetë Ngjela.

I rrethuar pothuajse ngado nga njerëz të mirë që vajtojnë pa zë sakrificën e tij për kauzën e Partisë Demokratike, ai s’ka nge t’u kthehet atyre me britma dhe qortime. Nga ana tjetër është kaq fisnik dhe i sjellshëm sa nuk i shkon ndërmend t’i përbuzë si qënie që nuk kuptojnë. E di se si përpunohen mendjet në shoqëritë e mbyllura, e ka të qartë çka ndodhur dhe sa shumë lekë janë hedhur për të krijuar “modelin Rama”, këtë falsitet të investuar rëndë, siç e ka përcaktuar njëri prej anëtarëve të stafit të tij elektoral.

Por ka besim absolut se fushata e tij do t’i çojë të gjitha gjërat në vendin e duhur. Ai jeton brenda një lloj magjie, nëpër të cilën synimet gjejnë kurdoherë shtegun për të kaluar, ndërsa pengesat bien si mëkate të natyrës. -Tiransit presin tjetër gjë nga bashkia e tyre, i njoh mirë! – kthehet e u thotë miqve të mesnatës në taracën e Grandit.

Janë Mero Baze, kolumnisti i pamposhtur, Henri Çili, një analist me pikëpamje liberale dhe njëherësh pedagog i ri i Fakultetit të gazetarisë, Edvin Kulluri, liberal gjithashtu, që ka rikthyer ironinë në shkrimet e shkurtra me temë politike. Sipas rastit në atë rreth të hapur miqsh, sheh edhe Ylli Pangon, Fatos Lubonjën apo Akli Fundon dhe më të rrallë edhe ndonjë Irenë gazmore, siç mund të përcaktohet në përgjithësi tipologjia e mikeshave të zotit Ngjela. Pasi ka thënë dy tri fjalë se çfarë presin tiranasit nga bashkia e tyre, shton duke paralajmëruar të qeshura:

– Po dëgjuat ndonjë duke u habitur me Lanën apo me fasadat dijeni se është nga rrethet. Shakatë dhe të qeshurat konsumojnë kohën e tyre. Vështrimi i kandidatit demokrat kthehet përsëri andej nga shtrihet qyteti. Kohërat dhe njerëzit shkëmbehen në mendjen e tij. Mbushet sërish me mendim, njëlloj sikur po mbushet me frymë. Nuk ia ka thënë askujt gjer më sot dhe ndoshta s’do ta thotë ndonjëherë, sepse është një gjë që nuk thuhet, për të mos thënë nuk kuptohet: Edi Rama është pompuar si një legjendë, por Ngjela nuk e sheh fare si të tillë, sado që për zakon dhe për nevoja komunikimi i duhet ta quajë me të rrallë “kundërshtari” ose “kundërshtari nga krahu tjetër” pa e përdorur përemrin “im”.

Ky lloj raporti me rivalin kryesor i mërzit, madje i skandalizon bashkëpunëtorët e tij më të afërt. U duket një raport i kërkuar, manierist dhe ç’është më kryesorja, fare pak motivues në funksion të garës elektorale. Në fakt, Ngjela e di mirë se Rama është një rival i fortë. Por thellë-thellë, ai konkurron me Ramën në sfera të tjera, më thelbësore, me të larta, që nuk kanë të bëjnë me pastrimin e Lanës, me fasadat e pallateve, me perceptimet empirike për politikën, drejtimin, bashkinë apo kryetarin e saj. Jo se Lana, fasadat apo pemët nuk duhen. Ato duhen por nuk janë tema politike dhe nuk mjaftojnë për t’i dhënë kuptim një dikotomie, një gare politike. Në sferat ku konkuron Ngjela, që kanë të bëjnë me dijet për lirinë, me vizionin e qytetit ku jetohet dhe jo të qytetit dekorativ që shihet, Rama ka pas zgjatur kokën dikur…

***

Elegant, ceremonial, flokëbardhë, i veshur me shije si gjithmonë, Spartak Ngjela është ylli i mbrëmjes demokrate të 30 gushtit në Pallatin e Kongreseve. Tremijë frymë ngrihen në këmbë dhe brohorasin emrin e tij, kur ftohet në skenë të marrë fjalën. Në sallën e mbushur plot ka militantë e militantë. Disa mendojnë se gara e PD-së për Tiranën do të bazohet në akuzat e komisionit parlamentar të kryesuar nga deputeti demokrat Sokol Olldashi, që ka hetuar shpërdorimet e fondeve publike nga kryebashkiaku Rama.

Ngjela do t’i marrë në dorëzim dhe do t’i rendisë edhe njëherë si fishekët në vezme ato akuza. Apo nuk janë shumë! Apo nuk janë të vërtetuara! Me to do t’i vërtitet zotit Rama mu në ato studiot e reja dhe të bukura të televizioneve ku e ka zakon të zdërhallet si t’i ketë sarajet e veta! Arma e Ramës ka qenë media. Kundërarma e tij quhej Ngjela, një vedetë e shtypit, tërheqës sa Rama, në mos më shumë.

Një takëm tjetër militantësh mendojnë se bombat e komisionit hetimor parlamentar nuk janë në shijen e Spartak Ngjelës; ato janë hedhur e shpërthyer aq dendur në foltoret e politikës, sa që një riciklim i tyre nuk do të kishte asnjë efekt pozitiv, për të mos thënë se do të bënte efektin e kundërt. Në këto kushte sfida e Ngjelës do të jetë diçka tjetër, e panjohur, e re, motivuese dhe frymëzuese për elektoratin e kryeqytetit, i cili, duhet thënë, gjatë qeverisjes së Ramës ka prekur e përjetuar disa arritje të pazakonta të bashkisë.

Lyerja e fasadave të pallateve në akset kryesore, rikonstruksioni i disa rrugëve brenda dhe jashtë unazës së vogël, heqja e kioskave buzë Lanës dhe rikthimi i saj në gjendjen e mëparshme, të gjitha këto, pavarësisht vërejtjeve, kritikave apo edhe akuzave janë arritje të dukshme për syrin e njeriut. Rama i ka hedhur një mbi një në tapet, duke qëndruar përmbi togun e tyre si King Kongu që pret çakërqef sfidantin që do të vijë t’i vdesë në duar. Militantët, viktima të propagandës gjithashtu, ia qanin hallin Ngjelës.

Kur do të gjente ky alternativë tjetër për t’u shquar nga më i shquari? Por, o Perëndi! Atje në skenën madhështore të Pallatit të Kongreseve vet Ngjela ka pamjen e një Paridi në tempullin e fitores. “Zonja dhe zotërinj! Katër janë shtyllat mbi të cilat kam mbështetur vizionin tim për të drejtuar bashkinë e Tiranës. E para është lufta kundër varfërisë. E dyta është çlirimi i tregut nga thonjtë e pushtetmbajtësve të sotëm, e treta është decentralizimi, e katërta është arsimi dhe kultura”.

Fjalimi elektoral i Ngjelës rrjedh, duke mbushur me muzikë dhe jehonë sallën që ka rënë në heshtje. Të duket sikur e dikton dikush tjetër, i padukshëm, që i jep trajta të reja zërit dhe fytyrës së folësit. E kujt tjetër, përveçse e fitores, mund të jetë ajo fytyrë e shndritshme ku shket një mendim dhe një projekt politik që nuk është artikuluar prej kohësh kaq pastër, kaq qartë, kaq thellë?

Është alternativa e qendrës së djathtë, që mbështetet në çudibërjen e Tregut dhe Lirisë, në fuqinë e Ligjit “si monarku i vetëm në këtë vend”, gjëmon Ngjela duke cituar Hamiltonin, në vlerën e mendjes që “për ne demokratët është pronë”. Tregu, Liria, Ligji – këto nocione të shterpëzuara nga përdorimi vend e pa vend, deri edhe jashtë kuptimit të tyre të mirfilltë – fitojnë në fjalimin e Spartak Ngjelës fuqinë e tyre të parë e të përjetshme.

Vizioni i qytetit të jetueshëm ku puna, uji, ngrohja dhe arsimi tregojnë masën e respektit ndaj individit ngrihet përballë vizionit të qytetit dekorativ, që kërkon të godasë në përshtypje. Parimi i investimeve jetësore e të ekuilbruara ngrihet përballë parimit të investimeve të përqendruara në qendër që janë, sipas Tokëvilit, shenja e degradimit të një regjimi. Vizioni i ri i lirisë ngrihet përballë vizionit të vjetër të organizimit dhe paradave.

Shumica e njerëzve në Pallatin e Kongreseve dhe mijëra të tjerë që po ndjekin drejtpërsëdrejti hapjen e fushatës elektorale të Partisë Demokratike e ndjejnë se demokracia jo vetëm nuk ka hyrë në rutinë, por përkundrazi, ajo nuk e ka treguar ende magjinë e saj, se qendra e djathtë ka hedhur ca themele por nuk ka folur ende ashtu siç do të donte të fliste, se zgjidhjet e opozitës për bursën, për investimet, për taksat kanë për të zbuluar horizonte të reja që dukeshin sikur nuk ekzistonin, sikur kishin marrë fund ose ishin zënë nga trupi i gjatë i Edi Ramës. Vetëm njëherë gjatë fjalimit të tij duket sikur Ngjela është i detyruar të kthejë vështrimin drejt kryebashkiakut në detyrë.

Është çasti kur zotohet të çbunkerizojë bashkinë e Tiranës, “që është kthyer në një entitet enigmatik për qytetarët”. Tani po përgatitet të godasë, mendojnë disa nga të pranishmit në sallë. Shpërthejnë në ovacione dhe kërkojnë me gjeste dhe fjalë që kandidati i tyre të përmendë emrin e Edvin Kristaq Ramës, shoqëruar me ndonjë batutë, nofkë apo të shara nga ato të kripurat.

Por Ngjela, megjithëse i do shumë ata militantë, megjithëse do të donte t’ua plotësonte të gjitha dëshirat, prapëseprapë atë dëshirë, që nuk i kushton asgjë, nuk ua plotë- son dot. Kalimi, më saktë rrokullisja nga Hamiltoni dhe çudibërja e tregut te një nofkë për Edvinin i duket e pahijshme, jo serioze, fyese për intelektin, e papranueshme për gjuhën e liberalëve, të kësaj rrace politike që edhe djallin nuk e shohin ndryshe, veçse në mënyrën që propozon Fontenël, si “I’homme d’affaires du bon Dieu” – afaristin e të madhit Zot./Panorama

Temat
LajmeRajon

Të afërta