Plas skandali, dalin fotot e patentës së Saimir Tahirit si skafist

Pas publikimit të dosjes ‘Habilaj’, ku dyshohet të jetë i përfshirë në trafikun e drogës ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, vazhdojnë të dalin në dritë të tjera informacione që shtojnë dyshimet rreth tij.

Lapsi.al publikon sot foto të dy lejeve të drejtimit për mjet lundrues që disponon Saimir Tahiri.

Burime të Lapsi.al thonë se këto patenta për mjet lundrimi tip ‘Skipper’ u gjetën në makinën e një personi me emrin Orest Sota, i cili u arrestua nga policia e Elbasanit dy ditë më parë. Sotës iu gjetën në makinë edhe 800 mijë euro. Për këtë ngjarje denoncoi i pari kreu i PD-së, Lulzim Basha. Sipas tij Policia e Shtetit me urdhër të Edi Ramës e mbajti të fshehtë ngjarjen.

Pak pas këtij denoncimi të Bashës, ka reaguar Policia e Shtetit përmes një njoftimi për media, ku konfirmohet ngjarja, por nuk përmenden fare dy lejet e drejtimit në emër të Saimir Tahirit që u gjetën në makinën e shtetasit Orest Lefter Sota dhe as shuma prej 800 mijë eurosh. Policia thotë vetëm që iu gjet një shumë e madhe parash, por pa bërë publike vlerën e saktë. Siç shihet në foton që sjell Lapsi.al janë dy leje drejtimi për skaff tip ‘Skipper’ në emër të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ato ndryshojnë nga njëra tjetra tek tonazhi i lejuar i mjetit. Nuk është e qartë ende se çfarë donte në makinën e Orest Sotës patentat e Saimir Tahirit dhe shuma prej 800 mijë eurosh. A mos ndoshta këto patenta dhe kjo shumë parash po zhdukeshin për llogari të ish-ministrit të Brendshëm?

Kujtojmë që në deklarimet e ditëve të fundit, Saimir Tahiri është shprehur se nuk kishte pasur mjet lundrues, por pa saktësuar nëse kishte apo jo leje drejtimi për këto mjete.

Temat
LajmeRajon

Të afërta