A dashuronte Faik Konica një striptiste të famshme në SHBA? Dalin në dritë detaje të reja

Ann Corion quhej 29 vjeçarja amerikane e cila ishte dashuria e fshehtë e shkrimtarit të njohur shqiptar Faik Konica.

Të paktën këto janë disa nga fjalët që gazetat e asaj kohe shkruanin për ambasadorin shqiptar Konica (koha kur shkrimtari ishte ambasador i Mbretit Zog).

Gazetari i mirënjohur Ilir Ikonomi ka shkruar një libër në lidhje me jetën e Faik Konicës në Shtetet e Bashkuara, dhe një pjesë i kushtohet pikërisht misterit, nëse Konica e dashuronte apo jo Ann Corion-in.

“Gazetat flisnin shumë për marrëdhënien e Faik Konicës, me zonjën An Corio. Ajo ishte një striptiste në Uashington dhe gazetat rendin shumë pas sensacioneve. Konica në vitin 1938 bën një deklaratë për agjencinë e lajmeve Associated Press ku thotë se unë nuk kam asnjë gjë me An Koner dhe ajo është shumë e martuar, në kuptimin që ajo është e martuar dhe unë skam të bëj fare me të”.

Në fillimin e vitit 1938, publicisti i njohur shqiptar ishte parë të takohej me aktoren e striptizës, e pikërisht mbi këtë takim u ngritën një sërë hipotezash, së të dy ishin të dashuruar dhe se Konica do t’i kërkonte dorën Ann Corio-s.

Corio ishte një nga 12 fëmijët e një çifti emigrantësh italianë dhe ishte bërë e njohur me shfaqjet e saj në varietenë e tipit burlesque që përfshinte parodi si dhe një dozë të mirë striptize. Në Amerikën e kohës, stripti ishte pjesa më e rëndësishme e kësaj varieteje të përshtatur për një audiencë mashkullore. Në Uashington, teatri, në hyrje të të cilit ndriçonin dy fjalët e shkruara me neon Burlesque Burlesque ndodhej në Rrugën Nëntë. Këtu atmosfera ishte krejt e ndryshme nga rrugët e tjera aty pranë që mbizotëroheshin nga dyqanet Garfinkel dhe Hecht’s. Faiku ishte ndër frekuentuesit e teatrit, siç kuptojmë nga ky paragraf i marrë nga një gazetë e kohës:

“Pak përfaqësues të huaj ia kalojnë Faik Konicës për nga popullariteti në qarqet shoqërore, mes politikanëve dhe shtypit. Ai është një kombinim i rrallë i mikpritësit të shkëlqyer, dijetarit, linguistit dhe playboy-it. Në netët e dimrit, kur detyra diplomatike e lejon, ai ulet në radhën e parë të teatrit burlesque të kryeqytetit. Njëra nga të preferuarat e tij është Ann Corio, kërcimtarja e striptit”. Corio ishte vajzë inteligjente. E kishte mbaruar shkollën e artit me një diplomë Magna Cum Laude dhe në rrethet shoqërore përshkruhej si mjaft e edukuar dhe brilante në bisedë. Ishte ndër artistet më të paguara të këtij zanati dhe fitonte deri në një mijë dollarë në javë. Corio ishte martuar me Emmet Callahan, pronar i disa teatrove. Faiku nuk e mohonte se e kishte ftuar Ann Corion disa herë për çaj. Shtytja mund të ketë qenë kurioziteti për bukuroshen e striptit dhe përgjithësisht tërheqja e Faikut drejt çdo lloj arti. Corio mund të ketë qenë po aq e tërhequr nga erudicioni i këtij njeriu që nuk ngjante me askënd tjetër në trupin diplomatik. Por, meqenëse zërat kishin marrë dhënë, ai u detyrua të bënte këtë përgënjeshtrim publik mbrëmjen e 11 janarit 1938:

“Ministrin e Shqipërisë e argëton së tepërmi cektësia e disa gazetarëve amerikanë, të cilët kanë arritur në përfundimin se ai ka rënë në dashuri dhe ka ndërmend të martohet me sharmanten Ann Corio, megjithëse ajo është mjaft e martuar. Përveç konsideratave të tjera, është fakt shumë i njohur se ligji i vendit ua ndalon diplomatëve shqiptarë të martohen me shtetase të huaja”.

Gazetat aq prisnin. Ëashington Post-i e botoi menjëherë deklaratën e Faikut bashkë me foton e tij dhe të Ann Corios përbri. Shumë të tjera reaguan me qesëndi. John O’Rehn i gazetës The Sun, shkruante: “Askush nuk i përdor më me dinjitet deklaratat formale se sa Faik Konica, ministri shqiptar në Shtetet e Bashkuara… Por nuk besoj se ministrin e argëtuan këto zëra, prandaj mendoj se deklarata e tij na zbuloi një Faik mjaft diplomatik.”

Corio shihej nga disa si gruaja më e bukur e botës, prandaj çdo burrë që shoqërohej me të nuk i shpëtonte dot syrit vigjilent të reporterëve. Pak kohë pas deklaratës së Faikut ajo u nda nga burri pastaj u bashkuan. Gazetat e njoftuan lajmin pa harruar të shtonin “atë historinë me diplomatin shqiptar”. Lajmin e botoi edhe Dielli i Gurrazezit dhe në përkthim ndihej një nëntekst i qartë qesëndie. Për një farë kohe, emri i Faikut do të shtohej si bisht në çdo histori që kishte lidhje me mbretëreshën amerikane të striptit, pa çka se e gjithë kjo mund të ishte një sajesë e shtypit të etur për sensacione.

Temat
LajmeRajon

Të afërta