Pakënaqësi e madhe brenda LDK-së, Ismet Beqiri ‘braktisë’ keq Isa Mustafën dhe LDK-në

Sekretarit të LDK-së, Ismet Beqirit po del se i ka mbetur hatri fort që partia e tij nuk e kandidojë për kryetar të Prishtinës.

‘Mllefin’ e tij, Beqiri po e shfaq me të nominuarin e LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashin.

Beqiri i cili udhëheq me degën e LDK-së në “Kodrën e Trimave”, nuk është parë në asnjë aktivitet në mbështetje të Arban Abrashit, shkruan ORAinfo.

Beqiri madje nuk është parë as në aktivitetin e mbrëmshëm që Abrashi e zhvilloi mbrëmë në “Kodrën e Trimave”, ku u takua me disa banorë të kësaj lagjeje, por jo edhe me kryetarin e degës së partisë së tij.

Në anën tjetër, Ismet Beqiri ka një arsyetim për mos pjesëmarrjen e tij ne aktivitetin e mbrëmshëm të Abrashit në “Kodrën e Trimave”

Beqiri për ORAinfo ka thënë se nuk ka mundur të merr pjesë mbrëmë në vizitën e Abrashit në “Kodrën e Trimave” për shkak të obligimeve familjare.

“Z. Abrashi e ka përkrahjen time dhe të degës ku jam unë kryetar. Mbrëmë nuk kam qenë për arsye shëndetësore familjare. Do të ketë edhe takime tjera në degën time, ku unë gjithsesi do të jem prezent”, ka thënë Beqiri për ORAinfo.

Ndryshe, Ismet Beqiri kishte shprehur hidhërime me partinë e tij edhe në vitin 2007, kur nuk ishte kandiduar ai për kryetar të Prishtinës, por kryetari i tanishëm Isa Mustafa.

Presidenti Hashim Thaçi që në atë kohë udhëhiqte me PDK-në, kishte akuzuar Ismet Beqirin se në atë kohë kishte punuar kundër LDK-së në Prishtinë, duke ndihmuar PDK-në.

Por këto pohime të Thaçit në atë kohë ishin mohuar nga vetë Beqiri. /ORAinfo/

Temat
LajmeVend

Të afërta