‘PDK po e mashtron Bekim Jasharin, ajo po i bën komplot atij’

Lëvizja Vetëvendosje, Dega në Skenderaj ka bërë të ditur se është përgatitur për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor, transmeton Periskopi.

Përmes një publikimi në rrjetin social “Facebook”, VV thotë se Bekim Jashari kandidoi për ta nxjerr qytetin e Skenderajt nga kolapsi ekonomik që e futi PDK.

Por sipas tyre, PDK luajti lojën e saj si çdo herë, bëri kinse u rreshtua prapa Bekim Jasharit.

“Në fakt, PDK po i bën komplot Bekim Jasharit. Krejt kjo, për t’i fshehur përçarjet e mëdha brenda saj, duke e ditur se edhe ashtu do ta bllokojë në asamble. Sa shumë hipokrizi ka rreshtimi i PDK-së prapa Bekim Jasharit është e vështirë ta dimë, por jo edhe e pamundur!”, thuhet ndër të tjerash në atë shkrim.

Lexoni të plotë shkrimin:

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Skenderaj, me të gjitha kapacitetet e saj organizative është përgatitur për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor.

Në mendësinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka qenë çdo herë të ecurit krah për krah kundër të keqes, e tillë do të jetë edhe kësaj radhe. Andaj, me 22 tetor, do të jemi të gjithë bashkë kundër të keqes, e cila quhet PDK.

Na vjen mirë që edhe në Skenderaj po lindë pluralizmi politik, kandidimi i Bekim Jasharit për kryetar komune duhet të shihet si një mundësi e dytë që familja Jashari i jep qytetit të Skenderajt, por assesi si favor ndaj një grupi të pakënaqur në PDK. Në fakt, kandidimi i Bekim Jasharit, ishte, është, dhe duhet të jetë kandidim kundër keq-qeverisjes së PDK-së. Ndryshe nuk ka kuptim!

Bekim Jashari kandidoi për ta nxjerr qytetin e Skenderajt nga kolapsi ekonomik që e futi PDK, ne kështu besojmë. Por PDK luajti lojën e saj si çdo herë, bëri kinse u rreshtua prapa Bekim Jasharit. Në fakt, PDK po i bën komplot Bekim Jasharit. Krejt kjo, për t’i fshehur përçarjet e mëdha brenda saj, duke e ditur se edhe ashtu do ta bllokojë në asamble. Sa shumë hipokrizi ka rreshtimi i PDK-së prapa Bekim Jasharit është e vështirë ta dimë, por jo edhe e pamundur!

Të gjithëve na kujtohet se si PDK ishte rreshtuar prapa Sami Lushtakut në burg, madje e kemi shumë të freskët momentin kur deputeti ynë, Glauk Konjufca, po e lexonte një letër që e kishte shkruar nga burgu Sami Lushtaku. Ata që ishin rreshtuar “prapa” Sami Lushtakut, u vajti mendja ta sulmojnë edhe fizikisht deputetin tonë në mbrojtje të “mikut” të tyre. Por janë po ata “miq”, që u rreshtuan prapa Sami Lushtakut në burg, që u bën armiqtë e Sami Lushtakut në liri. Pra, për PDK-në, Samiu ishte i mirë vetëm nëse ishte në burg, sepse vetëm kështu do të mund ta bënin viktimë, e të përfitonin vota në emër të tij dhe luftës së shenjtë të UÇK-së, për çka Samiu ishte burgosur. A nuk thoshte vetë Samiu: se ministra e zv. ministra të PDK-së e duan atë në burg?!

Ne e kemi kritikuar dhe vazhdojmë ta mbajmë përgjegjës Samiun për keq-qeverisje, madje ai me stafin e tij është fajtori kryesor për varfërinë e madhe, arsimin e degraduar dhe ekonominë e monopolizuar. Por, Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do t’i gëzohej asnjëherë dënimit të Sami Lushtakut për kontributin e tij të çmuar në luftën çlirimtare.

Të jemi të qartë: PDK nuk po i bën komplote vetëm Bekim Jasharit sot, e Sami Lushtakut dje! PDK ka më shumë se 18 vite që thirrët si trashëgimtare e UÇK-së, por se çfarë ka bërë PDK-ja për UÇK-në, mjafton të kujtojmë kompleksin banesor me emrin e UÇK-së, i cili kishte filluar të ndërtohej për familjet e dëshmorëve në Skenderaj. Ky kompleks banesor ka mbetur gjysmë për shkak se mungojnë mjetet financiare. Prindërve të dëshmorëve po u ikën koha, fëmijët e dëshmorëve tashmë kanë mbushur më shumë se 18 vite, “U” është ndërtuar, mungojnë “Ç” edhe “K”, ndërtimi edhe i këtyre dy ndërtesave në formë shkronjash do të përbënte kompleksin banesor “UÇK”. Po thonë që nuk ka mjete, në ndërkohë që ndërtesat shumëkatëshe të zyrtarëve të PDK-së po mbinë si kërpudha çdo ditë. Hipokrizitë, komplotet, keq-qeverisjet, korrupsionet e PDK-së nuk kanë të numëruar. Andaj, ne jemi gati me alternativën tonë qeverisëse.

Duhet ta bëjmë të qartë për opinionin se: për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, familja Jashari është e shenjtë, ashtu siç për një besimtar është Kurani ose Bibla. Nderi më i madh që mund t’i bëjmë familjes Jashari është promovimi i vlerave për të cilat ata janë flijuar, e që janë: Liria, Barazia, Drejtësia dhe Demokracia. Falë sakrificës së familjes Jashari ne mund të garojmë me ide, me projekte për të ardhmen e komunës tonë. Ata që mendojnë se për kontributin e dhënë në luftë duhet t’ju falën poste publike janë tjerë, fatmirësisht nuk janë në garën për kryetar dhe duhet t’i nxjerrim jashtë garës për Asamblenë Komunale me fitoren e kandidatëve për asamble nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE

Temat
LajmeVend

Të afërta