Ky është kushti i rëndë që PAN-i ia ka vënë Behgjet Pacollit!

Një marrëveshje mes koalicionit PANA (PDK-AAK-NISMA-AKR) dhe Listës Serbe për të krijuar Qeverinë e Kosovës, ka ngecur për shkak të posteve.

Fakti që AKR-ja e Behgjet Pacollit ka marrë pesë ministri, një zv.kryeministër, dhe shtatë zv.ministra me vetëm 4 deputetë në Kuvendin e Kosovës, duket se ka nxitur Listën Serbe që ka 10 vende të rezervuara në Kuvend që të rrisë pazarin dhe të kërkojë më shumë poste.

Marrëveshja e arritur mes koalicionit PAN dhe AKR-së thotë se Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Planifikimit Hapësinor, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik do t’i takojnë AKR-së.

Deputeti i NISMA-s, Haxhi Shala i tha emisionit InfoBox në RTV Dukagjini, se Lista Serbe po kërkon më shumë poste dhe se kjo mund ta prekë direkt AKR-në.

Sipas tij, të gjitha bisedimet tashmë janë duke u bërë për të kënaqur Listën Serbe me postet që po kërkon.

“Nuk ka ndonjë kërkesë politike, krejt ka të bëjë me poste. Ndoshta Pacolli duhet të heq dorë nga një post dhe të shkojmë përpara”, ka thënë Shala.

Takimi i sotëm mes koalicionit PANA dhe Listës Serbe ka dështuar në arritjen e një marrëveshje pikërisht për shkak se Lista Serbe po kërkon më shumë poste udhëheqëse në Qeverinë e Kosovës.

Temat
LajmeVend

Të afërta