Krasniqi: Tri partitë e mëdha më shumë e duan pushtetin se shtetin

Jakup Krasniqi i NISMA’s thotë se tri subjektet e mëdha politike në Kosovë janë të dhënë më shumë pas pushtetit, sesa për funksionalizimin e shtetit.

“Në Kosovë subjektet politike, sidomos tri subjektet e mëdha politike që kanë dalë nga zgjedhjet, më shumë e kanë për zemër pushtetin, se sa shtetin dhe funksionalizimin e institucioneve të shtetit”, ka thënë Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA’s.

Kjo gjendje, sipas Krasniqit, ka krijuar probleme të shumta edhe për konstituimin e Kuvendit dhe shumë më shumë për krijimin e qeverisë së re.

“Jemi vonuar në krijimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit. Po vonohemi dhe në krijimin e Qeverisë, ekzekutivit i cili e ka përgjegjësinë kryesore dhe në ligje dhe në Kushtetutë, për të qeverisur me vendin. Dhe ndoshta ky nivel i komunikimit që është vendosur mes subjekteve politike zgjedhore, ka krijuar këto vështirësi.”, citon ‘KosovaPress’ të ketë deklaruar Krasniqi në një intervistë.

Në po këtë intervistë, ish-kryetari i Kuvendit ka bërë të ditur se nuk është i gatshëm të marrë drejtimin e ndonjë ministrie, nëse PAN-AKR krijon qeverinë.

Për këtë ai ka edhe një sqarim.

“Kam një karrierë politike dhe jam në fund të saj dhe nuk do të dëshiroja ta marrë një përgjegjësi, që nuk e di cili do të jetë fati ndoshta i këtij kabineti qeveritar, i cili po ka vështirësi të konsolidohet”, ka thënë Jakup Krasniqi.

Temat
LajmeVend

Të afërta