Behgjet Pacolli i ka ‘gënjyer’ anëtarët e AKR-së

Aleanca Kosova e Re pritet që gjatë ditës së sotme t’i caktojë personat që do të jenë udhëheqës të ministrive që tashmë u janë ndarë atyre si pjesë e koalicionit të bërë së fundmi me PAN-in.

Por, përveç Behgjet Pacollit i cili me shumë gjasa do të jetë në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, asnjëri nga deputetët që janë brenda AKR-së nuk do të bëhen ministra. Të njëjtët do të vazhdojnë të ushtrojnë pozitën e deputetit.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re Vesel Makolli ka shpjeguar për Express se kush do të jetë në krye të ministrive që partia e Pacollit tashmë do t’i ketë nën udhëheqje. Ai ka bërë të ditur se ende nuk janë caktuar se kush do të jenë këta ministra, por thotë se gjatë ditës do të diskutojnë për këtë situatë.

“Përpos Presidentit i cili ishte dashtë me shku si ministër i Punëve të Jashtme, tjerët nuk shkojnë në ministri, ky ka qenë qëllim i yni edhe kur kanë konkurruar për deputetë që deputetët të mos i lëshojnë vendet e veta por të tjerë që janë në parti e që kanë kuadro, andaj për poste politike vijnë në pyetje tjerë persona që kanë dhënë për partinë e janë intelektualë, kanë aftësi udhëheqëse.

Deri më tani nuk dihet se kush do të jetë në këto ministri, tash po presim gjatë ditës së sotme të i përcaktojmë, por gjithsesi ne do të jemi të gatshëm kurdo që të thirret seanca e Kuvendit”, është shprehur Makolli, të enjten për Express.

Derisa kreu i AKR-së Behgjet Pacolli mori rrugëtimin e tij së bashku me PAN-in duke i dhënë fund bashkëpunimit me koalicionin LAA, njëri nga nënkryetarët e tij, Korab Sejdiu kishte deklaruar se nuk do ta ndjek rrugën e liderit të tij, nëse i njëjti i bashkohet PAN-it.

E deri më tani Sejdiu nuk ka dhënë ndonjë qëndrim se cila do të jetë zgjedhja e tij. Por për këtë çështje, Vesel Makolli i AKR-së thotë se partia e tyre është liberale, andaj të gjithë janë të lirë të shprehin atë që mendojnë.

Thekson se Sejdiu nuk ka deklaruar largim nga partia, apo diçka të ngjashme dhe se vazhdon të jetë pjesë e AKR-së.

“Korabi është deklaruar por nuk ka deklaru në ekstrem që p.sh do ta braktis partinë ose diçka tjetër, ai është shumë i përkushtuar për AKR sikurse edhe ne për të. Ne jemi parti liberale nuk mundemi të gjithë me qenë të një mendimi është normale në demokraci me pas kundërshti, është e tija nëse e voton ose jo por ai është pjesë e jona si një zëvendës president dhe njeri i përkushtuar”, ka thënë Makolli.

Ndërkaq në marrëveshjen e PAN-it dhe AKR’së, thuhet se partia e Pacollit, që i ka katër deputetë në Kuvendin e Kosovës, do t’i marrë 5 ministri të rëndësishme, si dhe u janë garantuar 7 poste të zëvendësministrave./D.K/GazetaExpress/

Postet për AKR-në:

Zëvendëskryeministër i parë

Ministria e Punëve të Jashtme

Ministria e punëve të Brendshme

Ministria e Planifikimit Hapësinor

Ministria e Bujqësisë

Ministria e zhvillimit ekonomik.

Po ashtu AKR do të ketë shtatë zëvendësministra në këto ministri:

Zv. Ministër i jashtëm

Zv. Ministër i brendshëm

Zv. Ministër i ambientit dhe planifikimit

Zv. Ministër i mirëqenies sociale

Zv. Ministër i shëndetësisë

Zv. Ministër i kulturës

Zv. Ministër i Arsimit.

Temat
LajmeVend

Të afërta