Pacolli: LAA ishte humbje kohe

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ishin marrë vesh shkaku i postit të kryeministrit, dhe e quajti pjesëmarrjen e tij në koalicionin LAA si humbje kohe.

Ai ka thënë se marrëveshja për të hyrë në koalicion me PAN ka ndodhur vetëm pas orës tre të pasdites.

Pacolli ka thënë në një intervistë në Klan Kosova se ka insistuar gjithmonë për një qeverisje gjithëpërfshirëse qoftë edhe teknike, dhe ka pohuar se ekzistojnë edhe letrat kur partnerët e tyre i kanë liruar nga kërkesat e tyre.

“U kemi thënë hyni, bëjeni një qeveri gjiithpërfshirëse ose teknike në mënyrë që vendi të mos mbetet në këtë bllokadë insititucionale”, është shprehur ai.

Pacolli ka thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur, duke shtuar se kishte insistuar që LDK dhe VV të takohen dhe të krijojnë një perspektivë të një qeverisjeje alternative në rast se dështon koalicioni fitues, në mënyrë që ata ta kenë alternativën gati dhe të e propozojnë një qeverisje ndryshe.

“Ka pasur shumë tentativa të miat, koalicioni me LDK dhe VV e dinë këtë, shumë herë kam insistuar që të takohen, madje kam përgatitur edhe hapësirën edhe momentin kur të takohen liderët e këtyre partive”, tha Pacolli.

Por ai ka thënë se problemi mes tyre ka qenë se kush do të jetë kryeministër, dhe Pacolli ka pohuar se iu kishte thënë që nuk mund të ketë qeveri me dy kryeministra.

“Asnjëra nuk ka lëshuar pe”, tha Pacolli.

“Nuk jam njeri që pret një skenar dhe pret pa fund që të mos ndodhë asgjë”, është shprehur ai.

“Dy muaj sa kam qenë në këtë koalicion për mua ka qenë humbje kohe, nuk ka ndodhur asgjë”, ka thënë Pacolli.

Temat
LajmeVend

Të afërta