Merkel e Schulz debatojnë në TV, tregohen të ashpër me Turqinë

Angela Merkel dhe Martin Schulz sot u përballën në një duel televiziv. Kancelarja kristiandemokrate dhe rivali i saj socialdemokrat Martin Schulz debatuan për 90 minuta në transmetim nga katër kanalet më të mëdha televizive gjermane ARD, ZDF (televizione publike), RTL dhe SAT1 televizione private).

Në shumë media gjermane ky event i madh televiziv konsiderohet si shansi i fundit për Schulzin për ta kthyer situatën në favor të tij, transmeton Koha.net.

Debati ka mbaruar ndërsa mesazhi përfundimtar i Schulz ka qenë se “ne jetojmë në një kohë ndryshimi” dhe se ai pret që si kancelar i ardhshëm i Gjermanisë të formojë të ardhmen, jo vetëm ta menaxhoj atë. Merkel, po ashtu, u fokusua në sfidat e së ardhmes, duke theksuar ekonominë digjitale dhe kohezionin social.

Pajtimi i vetëm mes të dyve ishte që të ndërpritet marrëveshja e bashkëpunimit me Turqinë dhe të anulohet procedura e anëtarësimit të Turqisë në BE.

Schulz ka premtuar se do të luftojë të anulojë marrëveshjen BE-Turqi nëse ai zgjidhet kancelar.

“Ky vend nuk mund të bëhet anëtar i BE-së”, ka thënë ai.

Edhe Merkel tha se “Nuk e shoh Turqinë si vend që të hyjë në BE, nuk e kam parë asnjëherë”.

“Nëse unë bëhem kancelare, do ta ndalojë hyrjen e Turqisë në BE”, shtoi ajo.

Çështja e migracionit u bë çështja qendrore e diskutimit të tyre, ku Schulz akuzoi Merkelin për mospërfshirjen e partnerëve të BE-së në vendimet e saj për mbylljen e kufijve me Gjermaninë.

Merkel mbrojti politikën e saj për kufijtë ku një milion emigrantë kanë hyrë në Gjermani, duke thënë se ata nuk janë kërcënim për votuesit.

Pavarësisht se ajo këmbëngul se “emigrantët nuk janë kërcënim për vendin”, ajo pranoi se kriza e refugjatëve e ka lënë Gjermaninë në një “detyrë të vështirë”.

Rivali i saj Schulz u pajtua me vendimin për të mirëpritur refugjatët, por thotë se qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndaluar “predikuesit e urrejtjes”.

Edhe në rritjen e pabarazisë, pati tensione mes dy palëve, ku Schulz akuzoi Merkelin për shpërfillje lidhur me rritjen e kostos së jetesës, duke përfshirë rritjen e qirasë dhe uljen e pagave.

Sipas gazetës së përjavshme Die Zeit, dueli televiziv do të vendos “nëse fundi i debatit shënon përfundimin e fushatës, ose fillimin për tri javë tjera emocionuese”.

Temat
BotëLajme

Të afërta