Gjermania ia mësyn çmimit “Oscar” me filmin për neonazistët

Filmi “In the Fade” është përzgjedhur ta përfaqësojë Gjermaninë në ceremoninë prestigjioze të filmit “Oscars”, duke garuar në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, shkruan DW, transmeton sot “Koha Ditore”.

Lajmin e ka bërë publik Organizata për distribuim të filmave jashtë vendit “German Films”. Filmi i realizuar nën regji të Fatih Akin nuk do të mundë të vinte në një kohë më të përshtatshme sesa tani. Ngjarja e filmit shtjellon historinë e një gruaje gjermane, që portretizohet nga aktorja Diane Kruger, e cila ka humbur burrin kurd dhe djalin pesëvjeçar në një sulm me bombë të neonazistëve.

Kruger, një yll i njohur hollywoodian, që ka shtetësi edhe gjermane edhe amerikane, e kishte fituar “Palmën e Artë” në Festivalin e Filmit në Cannes për performancën në këtë film. Derisa industria filmike gjermane e ka zgjedhur filmin “In the Fade” si propozim, ky film duhet të marrë vota të mjaftueshme për t’u nominuar nga Akademia, në mënyrë që të vazhdojë garën për “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj.

Ndarja e çmimeve do të bëhet me 4 mars të vitit 2018. Lista e ngushtë me pesë të nominuarit për këtë kategori do të bëhet publike më 23 janar. Duke lënë anash bashkëprodhimet, Gjermania deri më tani ka marrë vetëm tri çmime “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, dhe të gjithë filmat e vlerësuar në ceremoninë prestigjioze fokusohen në aspekte kritike mbi historinë e Gjermanisë. Në përgjithësi, edhe 19 filma të tjerë gjermanë kanë qenë të nominuar për këtë kategori nga Akademia. Fituesi më i fundit i Gjermanisë ka qenë drama për “Stasin” në Gjermaninë Lindore, e titulluar “The Lives of Others”, që mori çmimin “Oscar” më 2007.

Filmi “The Tin Drum”, bazuar në romanin klasik të kohës së luftës, të shkruar nga Günter Grass, kishte fituar në vitin 1980, ndërsa “Nowhere in Africa”, që fokusohet mbi jetën e një familjeje gjermane hebraike në Kenya, që kishte ikur nga nazistët, e kishte fituar çmimin prestigjioz në vitin 2003.

Regjisori i filmit “In the Fade”, Fatih Akin është i njohur për gjurmimin që iu bën temave të rënda sociale, shpeshherë duke përfshirë edhe tema mbi integrimin dhe diskriminimin. Drama e tij e vitit 2007, “The Edge of Heaven”, një bashkëprodhim turko-gjerman, flet për një pensionist turk në Gjermani, i cili përfshihet në një lidhje të komplikuar dashurie me një prostitutë. Edhe ky film ka qenë konkurrues për “Oscar”, por nuk ia ka dalë të dominohet. Sidoqoftë, filmi ishte shpërblyer me çmimin për skenarin më të mirë në Festivalin e Filmit në Cannes.

Në muajin qershor, Akin ishte njëri nga 774 profesionistët e filmit që u ftuan t’i bashkohen akademisë prestigjioze “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”, gjë që ia mundëson atij të ketë të drejtë vote për fituesit e çmimit ‘Oscar”. Kjo Akademi ka më tepër sesa 6 mijë e 200 anëtarë me të drejtë vote.

Vitin e kaluar, Gjermania e kishte propozuar për “Oscars” komedinë “Toni Erdmann”, që ishte përzgjedhur duke mposhtur konkurrentët e tjerë që ishin marrë parasysh, përfshirë edhe satirën për Hitlerin me titull “Look Who’s Back”, dramën për krimet naziste me titull “The People vs.Fritz Bauer” dhe filmin e fundit të realizuar për ditarin e Anne Frank.

Temat
Art

Të afërta

  • Bujarija dhe Refugjatët: Kosovarët në Mërgim

    Bujaria dhe Refugjatët: Kosovarët në Ekzil (Brill, Maj 2018) është një vepër historie që studion kontekstet politike dhe sociale që refugjatët Kosovarë i ndeshën kur lëshuan atdheun e tyre...
  • Ilir Shaqiri promovon librin “Adem Jashari”

    Shumë këngë ia kushtoi Adem Jasharit. E për komandantin legjendar, Ilir Shaqiri shkroi edhe libër. Të hënën në akademinë letrare të organizuar nga lidhja e shkrimtarëve ky promovoi poemën...
  • Vdes këngëtari Nijazi Bytyqi

    Muzikës shqiptare iu largua nga kjo botë një këngëtar i njohur. Bëhet fjalë për këngëtarin Nijazi Bytyqi, i cili ndërroi jetë në moshën 72 vjeçare, shkruan lajmi. Bytyqi ishte...
  • Shuhet aktori i njohur shqiptar!

    Ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Lisenko Malaj. Vitet e fundit ai ka jetuar në Itali....