Barcelona ende nuk është e vendosur për të ardhmen e anësorit Gerard Deulofeu
Pas një gjysmë sezoni fantastik me Milanin, skuadra e Barcelonës vendosi të rikthente në skuadër Gerard Deulofeun për 12 milionë euro.
Lojtari nuk mori pjesë në turneun e SHBA-së shkaku i një lëndimi, por ai tashmë është rikthyer plotësisht.
Deulofeu shkëlqeu në ndeshjen ndaj Chapecoenses, ku shënoi një gola dhe dhuroi dy asistime. Ai, po ashtu, pritet që të dielën të luajë nga fillimi kundër Real Madridit në Superkupën e Spanjës.
Por, Barcelona është në dilemë rreth të ardhmes së tij.
Fillimisht ishte menduar që Deulofeu të shitej ose të përdorej si pjesë e marrëveshjes për ndonjë transferim.
Por, pas largimit të Neymar në drejtim të PSG-së dhe paraqitjes së tij të mirë në trofeun Joan Gamper, gjërat kanë ndryshuar, shkruan Mundo Deportivo.
Pavarësisht transferimit të një tjetër anësori, trajneri Ernesto Valverde duket se ka vendosur ta mbajë në skuadër spanjollin, duke i dhënë një mundësi që të luftojë për vendin e tij dhe të sigurojë një vend në Kombëtare për Kupën e Botës ‘Rusia 2018’. /Express/