Gjykata e Sarandës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për tre autorët e dyshuar për vrasjen e 31 vjeçarit në Borsh dhe plagosjen e miqve të tij.
Mësohet se asnjëri prej të ndaluarve nuk ka pranuar të flasë para trupit gjykues. Tre të rinjtë që dyshohen si autorë të ngjarjes që ndodhi në fshatin Borsh disa ditë më parë dolën para Gjykatës së Sarandës për masën e sigurisë.
Trupi gjykues vendosi arrest me burg për Ronaldo Shehun, Xhonatan Muçon dhe Thanas Hodon. Nga burime të ABC News mësohet se asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të flasë në gjykatë. Ndaj tyre rëndon vepra penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim.
Ngjarja ndodhi me 26 korrik në rrugën kryesore të fshatit. Pas përplasjes verbale mes 7 personave konflikti degradoi deri në përdorimin e mjeteve prerëse ku mbeti i vrarë Premtim Bega dhe u plagosën shokët e tij. Hetuesit janë përqendruar në pistën e një konflikti të mëparshme për pronësinë. Por nuk përjashtohet edhe pista e një sherri të çastit.
