Grei Merko dhe Zani Balla janë dy persona të arrestuar nga Policia e Fierit, të cilët ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
20-vjeçari me banim në lagjen “Mbrostar Ferko”, Grei Merko është autor i vjedhjes së 40 milionë lekëve të vjetër në banesën e një 48-vjeçari në lagjen “8 Shkurti”. Ngjarja ka ndodhur më 20 maj të këtij viti, ku 20-vjeçari ka bashkëpunuar edhe me dy persona të tjerë të cilët janë ndaluar më para nga shërbimet e policisë. Ndaj Merkos, Gjykata e Vlorës kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhje”.
Gjithashtu u ndalua një person tjetër i cili ishte shpallur në kërkim për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Kultivim të bimëve narkotike”.
Zani Balla, 49 vjeç, banues në fshatin Pojan, Fier ishte me masë sigurie “Arrest në burg” nga Gjykata e Fierit. Në datën 7 shtator të vitit 2016 në banesën e tij u gjetën të mbjella 51 bimë narkotike Cannabis Sativa si edhe u sekuestruan 53 kg Cannabis Sativa. /Gazeta Express/
