Numri i klandestinëve shqiptarë në rritje, partia holandeze: Të rikthehet regjimi i vizave me Shqipërinë

ABC News ka siguruar të dhëna ekskluzive nga Ministria Holandeze për Siguri dhe Drejtësi, ku konfirmohet që klandestinet shqiptarë muajt të fundit kanë pësuar një rritje drastike.

Konkretisht në periudhën janar deri në mars janë arrestuar nga Policia e Kufirit 220 klandestinë, krahasuar me 360 persona në periudhën shkurt deri në qershor. Thënë ndryshe, në tre muaj kohë, klandestinët janë rritur me rreth 60 përqind.

Në bazë të problematikës së klandestinëve shqiptarë, Partia Leefbaar Rotterdam ka kërkuar që Bashkia e Rotterdamit të marrë masa shtrënguese në mënyre që të frenohen klandestinët. Po ashtu kjo parti i ka bërë thirrje që të rivlerësohet dhe një herë liberalizmi i vizave me Shqipërinë. Sipas Leefbaar, një nga arsyet e këtij problemi është që shqiptarët abuzojnë me kufijtë e hapura me Holandën.

Michel Van Elck, Partia Leefbaar Rotterdam: “Mos të harrojmë që puna e Policisë me klandestinët bën që ata të humbasin kohë për detyra të tjera që kanë. Policia ka shumë punë me klandestinët shqiptarë këtu, por dhe kompanitë dhe Policia e Kufirit. Të gjithë po merren me këtë problem por nuk po gjejmë dot një zgjidhje pasi kufijtë me Shqipërinë janë të hapura. Është shumë e lehtë tani të marrësh avionin nga Shqipëria dhe të vish këtu dhe të tentosh të futesh në kamion që të ikësh në Angli”.

Pas reportazhit të djeshëm të ABC News, konfirmohet dhe nga Policia e Kufirit, se ka një rritje të klandestinëve dhe metodat e reja që po përdorin.

Eveline Plomp, Policia Kufitare: “Që nga viti 2015 kemi intensifikuar kontrollet tona në port, dhe kjo për shkak të rritjes së klandestinëve. Akoma vazhdon të vijë një numër i lartë. Ndodh ndonjë herë që ne zbulojmë njerëz me rroba të lagura, kur i kemi kapur në ujë. Klandestinët tentojnë të gjejnë mënyra të ndryshmë për të ikur si klandestinë, dhe një nga këto mënyra është të hidhesh në ujë”.

Autoritetet Holandeze do të vazhdojnë të ndjekin nga afër këtë problematikë në tentativë për të frenuar sa më shumë ardhjen e klandestinëve shqiptarë. Deri tani nuk është menduar akoma nga qeveria që të heqen vizat, për shkak se që kjo masë të merret do të penalizohen dhe shtetas të cilët respektojnë rregullat ë zonës Schengen. Por në qoftë se kjo nuk funksionon, thirrja e partive të ndryshme politike në Holandë mund të bëhet më e fortë dhe mund të bashkohen për të ndërmarrë masa shumë me të forta sesa ata që janë marrë deri më sot.

Temat
LajmeRajon

Të afërta