Një nga zërat më të fortë në Partinë Demokratike, Astrit Patozi, pranoi për herë të parë gabimin se nuk kishte reaguar më herët për shkeljet që kishte bërë Lulzim Basha.
“Ndoshta dhe unë mund të kisha reaguar ndryshe që Lulzim Basha mos të vinte një ditë dhe të thoshte, që lista është e imja, marrëveshja është e imja, bojkoti është i imi, gara është e imja, sepse gjërat kanë ardhur duke u trashur. Pra, ne kemi bërë një gabim si Parti Demokratike. Që pranuam, për 4 vjet, megjithëse nuk jepte asnjë shenjë që mund të na çonte drejt fitores, e pranuam për kryetar. Tani, secili prej nesh duhet të marre njëlloj përgjegjësie për këtë që na ndodhi. Por përgjegjësia si merret? Duke e ndërruar kryetarin. Pra, duke thënë ndjesë për sa na ndodhi. Sepse ai vetë nuk kërkon”, tha Patozi.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Patozi deklaroi se Partia Demokratike ka qenë më e lirë në kohën e Berishës dhe jo të Bashës.
Ylli Rakipi – Zoti Patozi do hymë gjerësisht te raportet me zotin Lulzim Basha, ku ju keni kërkesat tuaja mëse legjitime e të drejta. Ju thoni se ka një ndryshim midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës?
Astrit Patozi – Për fat të keq ka. Biles është esencial ndryshimi.
Ylli Rakipi – I respektonte institucionet e partisë dhe i dëgjonte të tjerët përpara se të merrte vendime. Vërtetë e mendoni këtë gjë?
Astrit Patozi – Po, po e mendoj se unë e kam jetuar. Dhe si unë, janë dëshmitarë tjerë, se po të isha dëshmitar i vetëm, ti do thoje se mund të gënjesh. Unë kam dëshmitarë tjerë. Sali Berisha mund të ketë qenë vendimmarrësi kryesor, por nuk ka qenë kurrë vendimmarrësi i vetëm në Partinë Demokratike. Së dyti, Sali Berisha nuk ka guxuar kurrë, ose nuk ia ka lejuar vetës më mire të themi. Nuk ia ka lejuar vetës, që të mos kalonte çdo vendimmarrje e tij thelbësore, siç janë listat e grupit parlamentar, apo kandidimet e kryetarëve të Bashkisë apo Kryetar të Komunave. Pa filtrin e Këshillit Kombëtar apo të Kryesisë. Pra nuk e ka bërë asnjëherë. Dhe përveç Sali Berishës, por mund të them edhe kryetar të partive kryesore të Shqipërisë, nuk e kanë bërë në asnjë rast.
Ylli Rakipi – Ndoshta Berisha ka bërë çfarë ka dashur aty, por…
Astrit Patozi – Rëndësi ka fakti, se ai, mënyra se si i ka shkuar deri tek lista, është çështje tjetër. Unë po them, që edhe listat kanë qenë në bashkëpunim. Pra ai mund të ketë pasur më shumë akses te vendimmarrja dhe i takonte si kryetar i Partisë Demokratike, por kurrë në këtë pikë. Që të dilte natën dhe të thoshte, se kjo është lista ime personale, e pa konsultuar me askënd. Sali Berisha ka bojkotuar parlamentin, ka pasur qëndrime shumë të forta në politikë, por i bënte me mbledhje të Këshillit Kombëtar të gjitha ose me Kuvend.
Ylli Rakipi – Edhe votimet në kohën e dikurshme kështu i bënin, formalisht i bënin të gjitha.
Astrit Patozi – Nuk ka rëndësi. Bilës Partia Demokratike ka pasur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të zjarrta. Ka pasur kundërshtarë ka pasur dhe pro. Sigurisht shumica ishin me z.Berisha dhe fitonte shumica.
