Dëgjesën e radhës me qytetarët e Tiranës për hartimin e programit të ri qeverisës, Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës Saimir Tahiri e ka zhvilluar me banorë të ‘’Qytetit të Nxënësve’’ në Njësinë 6.
Tahiri deklaroi se gjithçka nuk është bërë në këto 20 e kusur vite nuk mund të bëhet menjëherë, por ai kërkoi ndihmën e të gjithë qytetarëve për të zgjidhur problemet më urgjente që i shqetësojnë ata.
‘’Në shtator fillon nga detyra qeveria e re dhe duhet që të ketë pa asnjë diskutim mbi kokë dhe në krah kontributin e secilit prej jush dhe të gjithë atyre njerëzve që kanë një problem por që nuk kanë gjetur dot rrugën për të marrë zgjidhjen nga zyrat përkatëse të shtetit. Pra për të gjithë ata që nuk janë shërbyer sepse nuk kanë marrë atë që meritojnë nga administrata shtetërore dhe për të gjithë ata që jo vetëm kaq, por edhe janë detyruar të japin ryshfet, apo të ndjekin rrugën jo ligjore’’ tha Tahiri.
Sipas tij është shumë e rëndësishme që qytetarët të marrin shërbimet ashtu si i meritojnë, pavarësisht përkatësisë politike, forcës, parave apo dhe njohjeve.
‘’Është shumë e domosdoshme që ne të bëjmë të mundur bashkë që qeveria e ardhshme dhe administrata në vazhdim të punojë për të gjithë njerëzit pa asnjë dallim dhe t’i shërbejë atij që nuk ka mundësi njëlloj siç i ka shërbyer deri dje, atij që kishte mikun, apo shokun, apo pjesën e pushtetit, e partive dhe kështu me radhë. Ne nuk na duhet një Shqipëri që i shërben vetëm të privilegjuarve. Ne nuk na duhen njerëz të ndarë në një grup të vogël që merr gjithçka, fiton gjithçka dhe kanë në shërbim shtetin dhe një shumicë dërrmuese e qytetarëve shqiptar që për shtetin kontribuojnë me taksa dhe mbrapsht nuk marrin thuajse asgjë’’ theksoi kryesocialisti i Tiranës.
/Gazeta Express/
