Policia gjen një sasi të madhe droge në shtëpinë e një gruaje me probleme mendore në Vlorë

Në kuadër të masave të marra kundër prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, policia e Vlorës bën me dije se ditën e djeshme ka konstatuar raste të tjera gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Drithas, kryesisht në lagjen ”Mëhallë”.

Policia bën me dije se në oborrin e shtëpisë së P.M., 52 vjeçe, banuese në Drithas, është gjetur një sasi lënde narkotike Cannabis Sattiva duke u djegur.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj, blutë e Vlorës kanë gjetur edhe dy thasë plastik të mbushur me lëndë narkotike Cannabis Sattiva në gjendje të tharë, me peshë totale 4 kg e 720 gram.

Policia njofton se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj saj, pasi rezulton e sëmurë me probleme mendore.

Gjithashtu nga kontrollet e ushtruara edhe në fshatin Velçë, Vlorë, në vendin e quajtur ”Presaran”, në një distancë 70 m nga banesa e një të moshuari është gjendur dhe sekuestruar një thes i mbushur me lëndë narkotike Cannabis Sattiva, me peshë totale 4 kg e 400 gram.

Ditët e fundit, policia ka nisur një aksion të gjerë në Vlorë, ku vetëm pak ditë më parë u sekuestrua një sasi e madhe droge, që shkonte deri në 16 ton. /G.D – Gazeta Express/

Temat
LajmeRajon

Të afërta