Atentati ndaj shqiptarit në Itali, dyshohet se gruaja e vrasësit kishte lidhje me viktimën

Vetëm një ditë pas vrasjes së një shqiptari në Itali, mediat e vendit fqinj kanë dhënë edhe pistat e para në lidhje me motivimin e këtij atentatit.

Duke iu referuar hetimeve të policisë, mediat italiane bëjnë me dije se dyshohet se viktima Demir Hyseni ka pasur lidhje me gruan e vrasësit, të shqiptarit 60-vjecar Kujtim Beli, i cili u prangos mbrëmjen e djeshme pas ngjarjes.

Hyseni, raportojnë mediat italiane, para dy vitesh ka pasur një lidhje me gruan e Belit, e cila jeton në Gjermani, dhe është ndarë nga 60-vjeçari.

Po ashtu, mësohet se ka qenë kjo çështje, e cila ka bërë që Beli t’i japë fund martesë me gruan e tij, ndërsa mësohet se ai ishte denoncuar më parë nga gruaja e tij në polici për dhunë dhe keqtrajtim.

Pas divorcit, Beli është kthyer në Shqipëri, por duket se ai nuk e ka harrur tradhtinë e gruas së tij me Demirin, dhe për këtë, ditën e djeshme vendosi që ta vrasë atë, sapo doli nga banesa.

Mediat italiane bëjnë me dije se ka qenë një telefonatë që ka pasur viktima me vrasësin, e cila ka zbuluar autorin e ngjarjes. /G.D – Gazeta Express/

Temat
LajmeRajon

Të afërta