Shpenzimet e çmendura të fushatës, PS 40 mijë $ vetëm për një miting

Një miting i partive të mëdha, në një nga qytetet kryesore në vend, kushton deri në 40 mijë USD. Kostoja është përllogaritur nga ekspertët financiarë të emëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të monitoruar shpenzimet e partive politike gjatë fushatës elektorale. Sipas raportit paraprak të ekspertëve, mitingu elektoral i Partisë Socialiste në Tiranë ka kushtuar 4,030,000 lekë ose 40 mijë USD. Mitingu në Fier ka kushtuar 1,870,000 lekë.

“Theksojmë se kostot e mësipërme janë bërë me një përllogaritje të përafërt bazuar në çmimet e tregut. Me marrjen e një informacioni më të saktë nga financa e Partisë Socialiste do të bëhet një përllogaritje në bazë të dokumenteve e do të pasqyrohet në raportin përfundimtar”, thuhet në raportin paraprak të ekspertëve financiarë.

PS-PD të pastra

Dy partitë më të mëdha në Shqipëri, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, rezultojnë se kanë respektuar ligjin sa i takon shpenzimeve dhe sjelljeve politike gjatë fushatës elektorale. Kështu thuhet në raportet e ndërmjetme të monitorimit të shpenzimeve gjatë fushatës zgjedhore të PD-PD, hartuar nga ekspertët financiarë. Megjithatë, ekspertët po punojnë për një raport më të hollësishme dhe përfundimtar, mbi shpenzimet dhe burimin e financimit të fushatës.

Ekspertët kanë monitoruar aktivitetin elektoral të PS në bashkitë kryesore të vendit, duke dalë në konkluzionin se PS ka zbatuar ligjin për partitë politike, i ndryshuar pas marrëveshjes Rama-Basha.

Gjithashtu, ekspertët nuk kanë asnjë pretendim për rezistencë nga PS dhe PD sa i takon vënies në dispozicion të kontratave të qirave dhe shpenzimeve të tjera për fushatë.

“Nga verifikimi në territorin e bashkive të përmendura me lart nuk rezultoi, që subjekti zgjedhor Partia Socialiste të këtë ngritur zyra elektorale dhe të këtë afishuar materiale propagandistike në kundërshtim me ligjin 8580, datë 17.02.2000, “Për partitë politike” i ndryshuar në ligjin nr 90/2017, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për partitë Politike”, të ndryshuar, udhëzimit të KQZ-së nr 1, datë 31.05.2017 “Për përdorimin e materialeve propagandistike dhe vendet për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”. Siç mund të shihet nga fotot bashkëngjitur, gjatë monitorimit, nuk kishte flamuj apo materiale propagandistike, në një distance më larg se 5 metra nga zyra elektorale e subjektit zgjedhor Partia Socialiste, dhe nuk ka shkelje të ligjit”, thuhet në raportin e firmosur nga ekspertët financiarë, Silvana Gjikdhima dhe Stoli Laze.

Periudha e monitorimit është nga 12.06.2017 deri në 16.06.2017. Po ashtu, sipas dy raporteve të monitorimit Partia Demokratike ka respektuar me korrektësi ligjin sa i takon zyrave elektorale dhe materialeve propagandistike. /shqiptarja.com

Shpenzimet e PS në disa mitingje elektorale

Mitingu në sheshin Nënë Tereza, në Tiranë, 4,030,000 lekë

Mitingu elektoral në Durrës, 980,000 lekë

Mitingu elektoral në Kavajë, 180,000 lekë

Mitingu elektoral në Gramsh, 295,000 lekë

Mitingu elektoral në Paskuqan, 149,000 lekë

Mitingu elektoral në Fier, 1,870,000 lekë

Mitingu elektoral në Kashar, 165,000 lekë

Mitingu elektoral në Sarandë, 91,500 lekë

Shpenzimet e detajuara të PS për mitingun në Tiranë

Podium, 1 copë, 15,000 lekë

Karrige, 1 copë, 15,000 lekë

Banera, 1 copë, 15,000 lekë

Ekran LED 1 copë, 80,000 lekë

Ndriçimi, 1 copë, 80,000 lekë

Fonia, 1 copë, 80,000 lekë

Kamera, 1 copë, 15,000 lekë

Fotograf, 1 copë, 15,000 lekë

Flamur , 10000 copë, 2,000,000 lekë

Shirita dore, 2000 copë, 200,000 lekë

Bluza 2000 copë, 600,000 lekë

Transport materiale, 1 copë, 15,000 lekë

Transport i pjesëmarrësve copë, 2000 individë, 600,000 lekë

Ujë, 2000 copë, 100,000 lekë

Piroteknik Fishekzjarrë, 1 copë, 200,000 lekë

SHPËRNDAJE Facebook Twitter

Temat
LajmeVend

Të afërta