Qytetarët e Prishtinës akuzojnë ujësjellësin

Akuza për mos përfundimin e punimeve në rrugët e Prishtinës
Banorët që jetojnë në rrugën “UÇK” në Prishtinë janë në telashe nga punimet që po bëhen në rrugë. Ata fajësojnë punëkryesit dhe kontraktuesit që sipas tyre po zvarrisin punët.

Në këtë lagje janë duke u ndërruar gypat e ujit të pijshëm, nga ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.

Derisa qytetarëve u intereson që këto punime të kryhen sa më shpejt sepse kanë filluar para një muaji, ndërsa nga ujësjellësi konfirmojnë se ato parashihen të përfundojnë më 15 korrik.

Banorët e kësaj pjese ankohen se hapja e gropave dhe kanaleve nëpër trotuare po u shkakton vështirësi në ecje, dhe qe një muaj janë duke jetuar në pluhur.

Njëra ndër këta banorë është edhe Myzafere Abazi, sipas së cilës këto punime po e pengojnë të lëvizë lirshëm.

“Po kjo po pengon, duhet me u ndreq, ka pengesa, ka pluhur edhe për të ecur këndej shtir”, tha ajo.

Edhe qytetari tjetër Remzi Ejupi, tha se gjatë ditëve të nxehta po krijohet shumë pluhur. Ai shprehet skeptik se punimet do të përfundojnë edhe brenda këtij muaji.

“Trotuari po pengon, kjo është katastrofë e ujësjellësit, qysh nuk po pengon, po pengon pluhuri, gurët, katrorët, njerëzit nuk kanë ka kalojnë, kjo është katastrofë. I ka një muaj që ka filluar, një muaj e më tepër, ka shanca kemi shpresa edhe për nja dy muaj ditë e rregullojnë”, thotë Ejupi.

Kurse, qytetari Shemsi Jupolli, i cili ka edhe një dyqan në këtë rrugë thotë se kompania me tre punëtorë po përpiqet që të përfundojë punimet.

“Trotuari është duke na penguar, i ka më shumë se një muaj me tre punëtorë krejt kompania e lodhët, kjo na ka penguar gjithë muajin. Pluhur, vështirësi në ecje qekjo. Mendoj që një muaj, më shumë se një muaj. Po çfarë shpejti me tre punëtorë një kompani, kompani e lodhtë, katastrofë. Nuk e di se çfarë është bërë kështu, pe shihni edhe vetë”, thotë Jupolli.

Ndërkohë që qytetarët kanë dërguar ankesa drejt kompanisë ujësjellësi, këta të fundit bëjnë të ditur se kompania e tyre po investon për përmirësimin e shërbimeve të tyre ndaj konsumatorëve.

Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” Arbërie Zogiani tha se deri më 15 korrik pritet që i gjithë projekti të përfundojë.
“Në rrugën tek ‘Qafa’ bëhet fjalë për një investim në vazhdën e investimeve dhe projekteve që po i bënë kompania jonë për përmirësimin e shërbimeve tona ndaj konsumatorëve. Bëhet fjalë saktësisht për ndërrimin e gypit të vjetër të furnizimit me ujë të pijshëm me gypin e ri. Deri me datën 15 në kuadër të planit dinamik do të thotë kemi kohë dhe besoj që do të përfundojë ky projekt në kuptimin e asaj që do të realizojmë të gjitha kyçjet e reja në këtë gyp të ri”, tha Zogiani.

Sipas saj, vonesë në punime kanë bërë disa ujëmatës të cilët kanë qenë brenda oborreve të konsumatorëve, të cilët janë qiradhënës dhe është kërkuar leja e qiramarrësit për t’u ekzekutuar plani i ujësjellësit rajonal “Prishtina”.

Derisa të vendosen gypat e rinj dhe të bien dakord me qiradhënësit, banorët që jetojnë në rrugën afër Kuvendit të Kosovës dhe komunës së Prishtinës ditën të rrinë me dritare të mbyllura për shkak të pluhurit të madh që shkaktohet nga punimet në rrugë.

Temat
LajmeVend

Të afërta