AKR-ja i thotë PO Haradinajt për bisedime

Agim Bahtiri thotë se AKR është e hapur për bisedime me Haradinajn. Zëvendëskryetari i Aleancës Kosova e Re, Agim Bahtiri, ka thënë se partia e tij është e hapur për bisedime me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, me Nismën për Kosovën dhe me Lëvizjen Vetëvendosje – por jo edhe me Partinë Demokratike të Kosovës.

Bahtiri ka treguar se ka pasur ofertë që të jetë pjesë e qeverisë Haradinaj, por ka refuzuar, sepse nuk dëshiron të jetë pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës.

Në Interaktiv të KTV-së, Bahtiri ka thënë se partia e tij është bashkuar me LDK-në me qëllim që të dërgojë PDK-në në opozitë.

Ai ka treguar se është takuar me të nominuarin e PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj. Bahtiri thotë se Haradinaj i ka ofruar post në qeveri, por këtë e ka refuzuar.

“Dje isha me Haradinajn, por në asnjë formë ne nuk kemi ndërmend të hyjmë me PDK-në. I tregova se nuk më intereson asnjë post politik, por vetëm që qytetari të jetë aty ku duhet. Gjitha ofertat janë të hapura nga Haradinaj, por është vendim i prerë i imi dhe i partisë që të mos bisedojmë për këto çështje. Unë jam zëvendës i kryetarit në parti, kam ndikim në AKR, dhe ai dhe të tjerët kërkojnë që të lëvizi në atë drejtim, por lëvizja ime është e vdekur. Ajo rrugë është e vdekur. Nuk po tregoj se çfarë më ka kërkuar, por rruga e bashkimit me PDK-në është e vdekur. Ofertë kishte”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri ka ftuar publikisht Haradinajn dhe Fatmir Limajn e Nismës që të largohen nga koalicioni me PDK-në dhe që të bëhen të gjithë bashkë për rrëzimin e PDK-së.

“Haradinajn e kam mik, por ai ka gabuar që ka shkuar në koalicion. Nuk mund ta përkrahim më. Është koha për të ndryshuar gjërat. Për Haradinajn kam respekt, por në asnjë formë dhe asnjë mënyrë nuk e përkrah më të keqen. E ftoj publikisht që të dalë nga ai grup dhe të kthehet në pjesën tonë, ne e presim. Ne jemi të hapur për koalicion, por jo aty ku është PDK. Është vendim i AKR-së që në asnjë mënyrë të mos shkojmë me PDK-në. Jemi të hapur të bisedojmë edhe me Haradinajn edhe Limajn edhe me Albin Kurtin, që është fituesi i zgjedhjeve. Fituesi i zgjedhjeve është Vetëvendosje. Jemi të hapur për bisedime”, ka shtuar më tej ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta