“PAN-i ka vija të kuqe, përderisa nuk ka ofertë për LAA-në dhe VV-në”

Koalicioni PDK-AAK-NISMA (PAN) nuk ka ndonjë platformë për të kërkuar koalicionin LDK-AKR-Alternativa (LAA) apo Lëvizjen Vetëvendosje (VV). Kështu deklaroi në një prononcim për Telegrafin, analisti Ramush Tahiri.

“PAN-i nuk mund ta formojë qeverinë e ardhshme meqë duhet të sigurojë votat e partive tjera. Por, PAN-i nuk ka platformë me të cilën mund të kërkojë koalicion nga subjektet tjera, si LAA apo Lëvizja Vetëvendosje.

Edhe pse PAN është deklaruar se nuk ka vija të kuqe, në praktikë po i tregon vijat e kuqe përderisa nuk ka ofertë për të tjerët”, ka thënë ai. “Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mandatari i parë është nga PAN-i. E, meqë numrat thjesht nuk i kanë, atëherë duhet të ofrojnë diçka”.

Edhe analisti Dardan Gashi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është detyrë e mandatarit të parë kryeministër, në këtë rast Ramush Haradinajt nga PAN-i, që pa humbur kohë pas certifikimit të rezultateve, t’i bëjë ftesë zyrtare secilës parti politike për koalicione të mundshme për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Neni 84 i Kushtetutës së Kosovës i jep të drejtë presidentit të vendit të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën numrin më të madh në Kuvend.

Neni 84, pika 14, përcakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën e Kuvendit. Ndryshe, për të ndodhur kjo, pra mandatimi dhe ndërmarrjet tjera politike, pritet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta