Mustafa nis bisedat për formimin e Qeverisë së re

Lëvizja “Vetëvendosje” është shprehur sërish e hapur të bashkëpunojë me LDK-në për ta krijuar një shumicë parlamentare në rast se koalicioni PAN dështon ta formojë Qeverinë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Përfaqësues të LVV-së kanë bërë të ditur se krerët e dy subjekteve, Visar Ymeri e Isa Mustafa, tashmë kanë zhvilluar një bisedë telefonike mes vete, megjithatë ende nuk kanë nisur takimet.

Ata pos kësaj kanë thënë se janë të hapur për të diskutuar edhe me AAK-në e Nismën, në rast se këto heqin dorë nga posti i kryeministrit, porse jo me PDK-në dhe Listën Serbe.

Nga ana tjetër, “Vetëvendosje” tashmë ka nisur takimet edhe me faktorin ndërkombëtar, me ç’rast përfaqësuesit e këtij subjekti kanë thënë se ndërkombëtarët përkrahin një qeveri e cila do ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, shkruan Zeri.

Deputetja e “Vetëvendosjes”, Shqipe Pantina, ka thënë se LVV-ja është e hapur për të diskutuar me LDK-në. Sipas saj, dy kryetarët e këtyre subjekteve madje kanë zhvilluar edhe një telefonatë, porse ende nuk janë takuar mes vete.

“Ne i kemi bërë thirrje publike LDK-së për t’u takuar, për të diskutuar për programin qeverisës dhe krijimin e Qeverisë së re. Ata kanë kërkuar kohë deri në certifikimin e rezultateve, gjegjësisht bërjes publike nga KQZ-ja, siç e dimë rezultatet tashmë janë publikuar, por ende nuk janë certifikuar. E di që kryetari Ymeri ka pasur një bisedë telefonike me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, por ende nuk janë zhvilluar takime, pasi që edhe kryetari Ymeri edhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, janë jashtë vendit”, ka deklaruar ajo.

Temat
LajmeVend

Të afërta