Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, ka përshëndetur vendimin për lirimin e bashkëluftëtarit të tij, Sami Lushtaku, nga të gjithat akuzat për krime lufte.
“Lirimi i tij sot është një lajm shumë i mirë, dhe shpresojmë që drejtësia t’i japë fund sa më parë edhe procesit të bashkëluftëtarëve tanë të tjerë, që ende pa drejtësisht po ju merret liria”, ka shkruar Limaj, në Facebook.
Kreu i Nismës për Kosovën ka thënë se “në historinë e Kosovës lufta çlirimtare e UÇK-së, është faqja më e ndritur e saj”.
Gjykata Supreme ka vendosur sot për lirimin e Sami Lushtakut nga të gjithat akuzat për krime lufte, për të cilat ishte dënuar me 12 vite burgim nga Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës, e më pas 7 vite burgim nga Apeli.
Shkrimi i plotë i Limajt në Facebook:
Në historinë e Kosovës lufta çlirimtare e UÇK-së, është faqja më e ndritur e saj. Kjo luftë e pastër dhe patriotike e jona u shënua me gjak dhe sakrifica të panumërta të popullit tonë.
Bijtë dhe bijat më të vyer të popullit shqiptar të Kosovës dhanë lulen e rinisë për lirinë e pavarësinë e vendit. Ndërkohë figura të shquara të kësaj epopeje luftarako-patriotike, mbas lufte po përballën me akuza të pavërteta, një ndër ta është edhe Gjenerali, Sami Lushtaku, që po mbahej prej kohe në paraburgim me akuza të rrejshme.
Lirimi i tij sot është një lajm shumë i mirë, dhe shpresojmë që drejtësia t’i japë fund sa më parë edhe procesit të bashkëluftëtarëve tanë të tjerë, që ende pa drejtësisht po ju merret liria. FL