Deputetja e re sqaron se pse në Gjilan mori vota më shumë se Avdullah Hoti

Deputetja e re e LDK’së, Valentina Rexhepi-Bunjaku, e ka arsyetuar numrin më të madh të votave në Gjilan krahasuar me Avdullah Hotin me faktin se votuesit në këtë komunë kishin ndëshkuar LDK’në pse nuk ishte në listë edhe Lutfi Haziri.

Këtë arsyetim, Bunjaku e ka dhënë pas një shkrimi të publicistit dhe ish-kandidatit të LDK’së për deputet, Bajrush Morina, i cili tha se LDK në Gjilan kishte bojkotuar dhe dëmtuar partinë duke i dhënë vota më shumë një kandidateje se Avdullah Hotit.

“Disa e keni bojkotuar Avdullah Hotin. Keni dhënë vota më shumë për kandidatë për deputet se sa për kandidatin për kryeministër. Shembll konkret: Valentina Rexhepi – Bunjaku, një ish LDD-iste e konvertuar në LDK dhe e avansuar në kryesuese të Kuvendit të Gilanit ka marrë vota më shumë se Avdullah Hoti në Gjilan! Ky është bojkot. Kështu është dëmtuar LDK-ja”, ka shkruar Morina, në një tekst autorial.

Ky konstatim s’i ka pëlqyer hiq Valentina Rexhepi-Bunjakut.

Kjo politikane e ka quajtur Bajrush Morinën, profiter derisa tekstet e tij shkarravina, shkruan Gazeta Express.

“Jetojmë në një kohë kur z. Bajrush Morina, gazetari i “Botapress”, profiteri më i madh i të gjitha pushteteve të pasluftës, bënë akoma gazetari dhe kallxon çka është mirë e çka keq. Kur këtij profiteri i shkon fjala, ky fakt tregon që shoqëria jonë nuk i ka punët mirë”, e ka nisur reagimin deputetja e LDK’së.

Ka dhënë disa sqarime për ndërrimin e partive, njëherë në LDD e pastaj në LDK.

“Z. Bajrush, unë karrierën politike e kam nis në LDD dhe jam shumë krenare për të kaluarën. Sikur sot që jam krenare që jam pjesë e LDK’së, simpatizantët e të cilës më kanë pritur krahëhapur. I falënderoj shumë për këtë”, ka shtuar ajo.

Valentina Rexhepi-Bunjaku i është përgjigjur Morinës se pse ka marrë vota më shumë se Avdullah Hoti në Gjilan.

Fajtor për këtë, ajo e ka lënë te moskandidimi i Lutfi Hazirit për deputet.

“E dyta, LDK nuk ka humbë në Gjilan, për shkak se i kemi pasur dhe i kemi tre deputetë, por atje ku ka pasur e ka ra në përfaqësim. Tjetra, Albin Kurti dhe kandidatët tjerë për deputetë, kanë marrë vota më shumë se z. Avdullah Hoti. Krejt kjo si reagim i mos daljes apo mospranimit të Lutfi Hazirit që të jetë në listë (e dini ju pse) dhe në kundërshti, Gjilanasit dhe Anamorava ‘goditën’ dhimbshëm LDK’në me votë kundër sepse pritja ishte e madhe. Kjo ishte votë kundërshtuese, e jo zhgënjyese”, ka deklaruar Bunjaku.

“Kjo është hera e parë dhe e vetme në jetë që merrem me ty, z. Bajrush. E bëra këtë sqarim për ushtarët e Ibrahim Rugovës, të cilët kanë mundur të bien në lajthitje nga shkarravinat tuaja”.

Temat
LajmeVend

Të afërta