LDK ia tërheq vërejtjen Thaçit: Mos “u lig” para Vuçiqit në Bruksel!

LDK-ja në një komunikatë konstatoi sot se dialogu i Brukselit duhet të udhëhiqet nga qeveria.

Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi sot duke kërkuar nga Presidenti Thaçi që të mos imponohet për ta udhëhequr dialogun e Brukselit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës po përcjellë me shqetësim përpjekjet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që duke iu imponuar presidentit serb, Vuçiq, të jetë pjesë e dialogut në Bruksel, me synim të realizimit të interesave të tij personale, e jo shtetërore”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK-ja më tutje konsideron që dialogu për normalizim marrëdhëniesh Kosovë- Serbi duhet të drejtohet nga Qeveria e Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit.

“LDK thekson se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, i ndërmjetësuar nga BE-ja e me praninë e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit”, vijon reagimi.

Sipas LDK-së, çështjet të cilat trajtohen në dialog “janë në kompetenca kushtetuese të ministrive përkatësisht Qeverisë, e jo Presidentit”.

LDK-ja në reagim Thaçin nuk e konsideron simbol të unitetit.

“LDK-ja konsideron se Thaçi duke u implikuar drejtpërdrejt në fushatë zgjedhore, ka dëshmuar se nuk e përfaqëson aspak unitetin e popullit të Kosovës, por vetëm partinë e tij”, thuhet ne reagim.

Presidenti Thaçi gjatë fushatës zgjedhore nisi një fushatë të shkuarjes nëpër shkolla për t’u njohur me gjendjen dhe problemet e arsimit, ndërsa këtë gjë LDK-ja atëherë e konsideroi përfshirje të Presidentit në fushatë.

Temat
LajmeVend

Të afërta