Kur Shqipëria voton për të zgjedhur ligjvënësit e rinj, kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje qytetarëve për të marrë pjesë në votime e për të shprehur vullnetin e tyre.
Në rrjetin social Facebook, Rama shkruan se mungesa në votime është gabim, dhe se vota vlen për vendin. Rama nuk ka lënë pas edhe një përgjigje për kundërshtarët e tij politikë, sa i përket akuzave të vazhdueshme që kanë hedhur ndaj socialistëve si të përfshirë në blerje vote dhe presione ndaj qytetarëve.
“Qentë le të lehin karvani forca përpara”, shkruan kreu i qeverisë, i cili nuk ka thënë asnjë fjalë për rastet e denoncimeve të përfshirjes së përfaqësuesve të PS-së në incidente gjatë procesit zgjedhor.
Më herët, përmes një statusi në Facebook, kreu i qeverisë kishte edhe një apel për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“Kujtdo nga ju që s’është sot në Shqipëri i lutem. Ngri telefonin! Nxiti të votojnë familjarët, fqinjët, miqtë, të njohurit e tu këtu në atdhe”, – shkruan Rama.


