Këto janë votat që kanë marrë kandidatët e Nismës për Kosovën, ja kush prin

Nisma për Kosovën, e cila në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit ka konkurruar në koalicion parazgjedhor me koalicionin PAN, mund t’i ketë siguruar rreth 7 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Burime të ‘Indeksonline’, brenda këtij subjekti bëjnë me dije se nga rezultatet e numëruara nga 70 për qind të komunave, kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka marrë mbi 30 mijë vota.

I dyti është Haxhi Shala, deputet në legjislaturën e kaluar, me 12.649 vota. E Zafir Berisha ka marrë 11.971 vota.

Tutje, sekretari i Nismës, Bilall Sherifi, ka marrë 11.535 vota. Sherifi në fushatën parazgjedhore është prezantuar nga Limaj si shef i Grupit Parlamentar të Nismës në Kuvendin e Kosovës.

Enver Hoti nga Nisma, sipas këtij burimi, ka marrë 9.325.

E, Albulena Balaj ka marrë 6.513. Ish-shefja e Grupit Parlamentar në legjislaturën e kaluar, Valdete Bajrami, renditet e shtata më 5.938 vota.

Në këto rezultate mungojnë votat nga Prishtina, Mitrovica, Podujeva, Vitia, Vushtrria, Klina dhe Istogu.

Nëse, këto rezultate konfirmohen edhe nga ana e KQZ-së, atëherë Nisma mund të vlerësohet si fituese brenda koalicionit PAN.

Sipas monitoruesve të Kuvendit, pragu për deputetët po llogaritet të jetë mbi 9 mijë, ndërsa tek deputetet rreth 6000.

Koalicioni PAN është renditur i pari në këto zgjedhje me rreth 34 për qind. I pasuar nga Vetëvendosje më 27 për qind. E, LDK e treta më 25 për qind.

Temat
Vend

Të afërta